Loriana Kuka ia dhuron Kosovës medaljen e tretë të bronztë në Botëror

  • 30 August 2019 - 13:42
Loriana Kuka ia dhuron Kosovës medaljen e tretë të bronztë në Botëror

Loriana Kuka ka arritur t’i përsëritë sukseset e Distria Krasniqit dhe Majlinda Kelmendit, duke ia fituar Kosovës medaljen e tretë të bronztë në Kampionatin Botëror “Tokio 2019”.

Në ndeshjen vendimtare për medaljen e bronztë, Loriana Kuka u tregua shumë e fortë për sllovenen Klara Apotekar.
 

Image

Në mesin e 44 fitoreve nga gjithsej 65 ndeshje të zhvilluara, Kuka e ka mposhtur një herë Apotekarin në tri ndeshje të zhvilluar paraprakisht mes këtyre të dyjave. Megjithatë, Apotekar e pati epërsinë në këtë ndeshje sa i përket rangimit botëror – Kuka është e 13-ta, Apotekar e 12-ta.

 

Image

Xhudistja kosovare pësoi disfatë në çerekfinale kundër brazilianes Mayra Aguilar, duke bërë kështu që t’u japë fund shpresave për medalje të artë ose të argjendtë dhe t’i futet garës për të bronztën.

Kosovarja e kaloi rundin e parë pa luftë, ndërsa në rundin e dytë u përball me gjermanen Luise Malzahn, të cilën arriti ta mposhtë vetëm në kohën “Golden Score”.

Në rundin e tretë, Loriana u tregua shumë e fortë për argjentinasen Lucia Cantero, të cilën e mposhti me ippon.

Megjithatë, rrugëtimi i saj drejt të artës nuk zgjati edhe shumë pasi që në çerekfinale pësoi disfatë.

Loriana Kuka është xhudistja e fundit që po e përfaqëson Kosovën në Kampionatin Botëror Tokio 2019. Përderisa Distria Krasniqi dhe Majlinda Kelmendi i morën medaljet e bronzta në kategoritë e veta, Nora dhe Akil Gjakova e mbyllën rrugëtimin pa medalje.