Sonte luan Kosova kundër Turqisë, mobilizohet fshati Sekiraqë për vajzën e saj

  • 30 August 2019 - 14:21
Sonte luan Kosova kundër Turqisë, mobilizohet fshati Sekiraqë për vajzën e saj

Ta përfaqësosh Kosovën dhe popullin e saj nuk është nder vetëm për një futbollist apo futbolliste. Por, është krenari për një komunitet më të gjerë. Këtë e konfirmon një fshat i Kosovës, i cili po krenohet që ia ka dhënë Kosovës një futbolliste. Bëhet fjalë për fshatin Sekiraqë të Komunës së Podujevës, që njihet për të mirë në gjithë Llapin.

Kombëtarja e Kosovës sonte prej orës 20:00 në stadiumin “Fadil Vokrri” do ta zhville ndeshjen e parë kualifikuese për “Euro 2021” në konkurrencën e femrave ndaj Turqisë, për të cilin takim përzgjedhësja Afërdita Fazlija e ka ftuar edhe Leonora Ejupin. Mesfushorja me tipare sulmues është 19-vjeç, e lindur në Sekiraqë, por që jeton në Gjermani, ku edhe luan futboll për klubin e njohur gjerman, Arminia Bielefeld. Ndërsa, tani po luan edhe për Kosovën.

Kjo ka bërë që fshati i saj të mobilizohet për të shkuar masovikisht sonte në stadiumin “Fadil Vokrri” për ta përkrahur Kosovën dhe Leonora Ejupin kundër Turqisë.

“Sonte prej orës 20:00 në stadiumin “Fadil Vokrri” do të luhet ndeshja e futbollit në konkurrencën e femrave ndërmjet dy kombëtareve Kosovë-Turqi. Në ekipin e kombëtares tonë luan edhe talentja Leonora (Osman) Ejupi bashkfshatare e jona e cila jeton në Gjermani. Për të gjithë të interesuarit hyrja është falas. Këto vajza meritojnë përkrahje!”, shkruan faqja në “Facebook” Fshati Sekiraqë. 

(Kosova Sot Online)