Driton Kuka pas suksesit të mbesës Loriana: Tri medalje në Botëror, po më duket si ëndërr!

  • 30 August 2019 - 14:37
Driton Kuka pas suksesit të mbesës Loriana: Tri medalje në Botëror, po më duket si ëndërr!

Trajneri Driton Kuka ndihet i lumtur me medaljen e bronztë që e fitoi Loriana Kuka sot në Kampionat Botëror. Trajneri pejan e konsideron këtë si një medalje speciale pasi e fitoi pikërisht mbesa e tij. Kjo ishte medalja e tretë e Kosovës në “Tokyo 2019”

Loriana Kuka ia solli sot Kosovës medaljen e tretë nga Kampionati Botëror i xhudos, i cili po mbahet në Japoni.

Xhudistja pejane e fitoi medaljen e bronztë, njëjtë siç e kishin fituar edhe Majlinda Kelmendi e Distria Krasniqi ditë më parë.

E për trajnerin Driton Kuka, medalja e sotme ishte më e veçanta pasi e fitoi pikërisht mbesa e tij.

Ai ndihet mjaft i lumtur me sukseset e garuesve të tij.

“Tokyo sivjet po më çmend! Tri medalje në Kampionat Botëror! Po duket si ëndërr. Çfarë ndjenja po më sjell Lori sivjet. Medalja nga Kampionati Botëror për Kosovën për popullin Shqiptar por… Familja është ajo e shenjta për mua dhe besoj për çdo Shqiptar. Medalja Botërore edhe në familjen Kuka! Sa shumë jam krenar sot edhe si trener por edhe si Axha i Lorianes! Kosova mbi të gjitha”, ka shkruar Kuka në Facebook, duke ia përcjellë këtij postimi edhe flamurin kombëtar shqiptar dhe atë të Kosovës.

Image

 

Vendi ynë po përfaqësohet me pesë garues në Kampionat Botëror, i cili po mbahet nga 25 gushti deri më 1 shtator.

Krahas Majlindës, Distrisë e Lorianën, Kosovën në Tokio e përfaqësuan edhe motër e vëlla, Nora e Akil Gjakova, të cilët megjithatë nuk arritën të fitonin medalje. 

(Kosova Sot Online)