Khabib, i gatshëm të shkojë në burg për ta vendosur rivalitetin me McGregor

  • 30 August 2019 - 15:01
Khabib, i gatshëm të shkojë në burg për ta vendosur rivalitetin me McGregor

Kampioni i UFC-së në kategorinë e peshave të lehta, Khabib Nurmagomedov, e ka ringjallur zënkën e tij me Conor McGregor, duke thënë se rivaliteti i tyre nuk do të marrë fund kurrë.

Luftëtari rus e prani se ai është i gatshëm të shkojë në burg vetëm për ta vendosur betejën e gjatë me Conor McGregorin, gjatë një interviste me ESPN.

Por, 30-vjeçari shtoi se nuk është i interesuar në një rimeç sepse ai dëshiron të luftojë si “burrat e vërtetë”, si Dustin Poirier, Tony Ferguson dhe George St-Pierre.

Në një intervistë, Nurmagomedovi sqaroi se si fitorja e tij kundër irlandezit në UFC 229 nuk kishte qenë e mjaftueshme.

“As meçi i tetorit nuk i dha fund kësaj. Ta shkatërrosh dikë nuk mjafton. Dua të them ta shkatërrosh vetëm atë nuk është e mjaftueshme. Ne duhet ta shkatërrojmë të gjithë skuadrën e tij”, ka thënë Khabibi.

“Këtë gjë e mendoj unë para një meçi. Këtë gjë ia them skuadrës time: “Hej, sonte, ne do të shkojmë në luftë. Kjo nuk ka të bëjë vetëm me një meç”.

“Rivaliteti im me të nuk do të marrë fund kurrë. Asnjëherë. Edhe nëse ne e shohim diku njëri-tjetrin, do të rrehemi, jam 100 për qind i sigurt”.

“Nuk ka rëndësi nëse dikush shkon në burg apo ndodh diçka e tillë. Nuk i frikësohem kësaj mundësie… Ata shkojnë në spital dhe ne në stacionin policor. Kjo është e gjitha”.

McGregor e kishte shprehur dëshirën për ta zhvilluar një rimeç me Khabibin vitin e kaluar, mirëpo kampioni rus nuk e do këtë meç para se McGregor të arrijë ndonjë gjë brenda oktogonit.

“Ky djalë duhet të kthehet dhe t’i fitojë nëntë apo dhjetë meçe radhazi. Pastaj mund të ndeshemi ne të dy sërish. Dana White [kryetari i UFC-së] mos më telefono për këtë meç. Dana është i mirë, flas me të nganjëherë. Por, mos më fol për këtë meç të çmendur”.

“Unë dua të luftoj me burra të vërtetë – Dustin Poirier, Tony Ferguson, ndoshta edhe njërin ndër atletët më të mirë të të gjitha kohëve, George St-Pierre. Unë dua të ndeshem me këta. Nuk dua të ndeshem me dikë që s’fiton kurrë”.

(Kosova Sot Online)