Smallingu i kryen testet mjekësore para transferimit në Romë

  • 30 August 2019 - 15:04
Smallingu i kryen testet mjekësore para transferimit në Romë

Mbrojtësi i Manchester Unitedit, Chris Smalling, i ka kryer testet mjekësore në kampin stërvitor të Romës, të premten, para transferimit te klubi italian në formë huazimi për sezonin e ri, 2019/20.

Qendërmbrojtësi anglez e humbi vendin në ekipin e Manchester Unitedit, pas transferimit të Harry Maguire nga Leicester City në fillim të kësaj vere. Ai ende s’e ka bërë asnjë paraqitje në këtë sezon.

Roma e identifikoi gjatë kësaj jave Smallingun si zëvendësuesin e përsosur për Kostas Manolas, i cili në fillim të korrikut iu bashkua Napolit.

Ole Gunnar Solskjaer e konfirmoi largimin e 29-vjeçarit gjatë një konference për shtyp të premten në mëngjes. Tani faqja zyrtare e Romës në Twitter e ka konfirmuar se mbrojtësi i ka kryer testet mjekësore dhe zyrtarizimi i transferimit të tij pritet të bëhet gjatë orëve në vijim. 

Smallingu e kishte rinovuar kontratën me Manchester Unitedin në dhjetor, e cila është e vlefshme deri në verën e vitit 2022. Megjithatë, mbetet të shihet nëse ai do të ketë të ardhme në klub.

Gjithsej, ai i ka bërë 323 paraqitje për 20-herë kampionët e Anglisë, që kur iu bashkua atyre në vitin 2010 nga Fulhami. Gjatë kësaj kohe, ai i shënoi 18 gola.

Ai i grumbulloi gjithsej tetë trofe gjatë kohës së tij në “Teatrin e Ëndrrave’, përfshirë këtu dy tituj të Premierligës. Por, ai kurrë nuk ka arritur ta shfaqë në Manchester United formën që e kishte pasur si i ri në Fulham.

Smallingu i ndjek disa yje të tjerë të Manchester Unitedit të cilët janë larguar nga klubi gjatë kësaj vere, përfshirë këtu Romelu Lukakus, Alexis Sanchezit dhe Ander Herreras.

(Kosova Sot Online)