Haradinaj, pas sukseseve të xhudistëve në Botëror: Emri i Kosovës po shkëlqen edhe një herë

  • 30 August 2019 - 15:50
Haradinaj, pas sukseseve të xhudistëve në Botëror: Emri i Kosovës po shkëlqen edhe një herë

Ish-kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, është shprehur i kënaqur me arritjet e xhudistëve kosovarë në Kampionatin Botëror Tokio 2019, ku Kosova i grumbulloi tri medalje të bronzta.

Prej të dielës e deri sot, Kosova u përfaqësua nga pesë xhudistë në Botërorin e xhudos, që po zhvillohet në Tokio.

Prej këtyre pesë xhudistëve – Majlinda Kelmendit, Distria Krasniqit, Nora Gjakovës, Akil Gjakovës dhe Loriana Kukës – Kosova fitoi pikë Olimpike dhe tri medalje të bronzta.

“E mrekullueshme. Kosova me tri medalje në kampionatin botëror të xhudos, në Tokio të Japonisë. I lumtur të shoh se falë punës së madhe të mjeshtrit të xhudos, Driton Kuka, dhe xhudisteve të arta, Majlinda Kelmendi, Distria Krasniqi dhe Loriana Kuka, emri i Kosovës të shkëlqejë edhe njëherë në arenat sportive botërore. Faleminderit vajza, jeni krenaria e të gjithë shqiptarëve!”, shkroi Haradinaj në llogarinë e tij në rrjetin social Facebook.

(Kosova Sot Online)