Drejtori i PSG-së zbulon situatën me Neymarin dhe Barcelonën

  • 31 August 2019 - 09:04
Drejtori i PSG-së zbulon situatën me Neymarin dhe Barcelonën

Drejtori sportiv i Paris Saint-Germainit, Leonardo, nuk beson se klubi francez do të marrë ofertë të pranueshme nga Barcelona për Neymarin, para se të mbyllet afati kalimtar për klubet evropiane, më 2 shtator.

Braziliani ka qenë në qendër të vëmendjes gjatë këtij afati kalimtar të verës pasi që edhe Barcelona e edhe Real Madridi shprehën interesim për ta kthyer atë në Spanjë, vetëm dy vjet pasi u largua nga Camp Nou për 222 milionë euro.

Drejtuesit e Paris Saint-Germainit kanë bërë të ditur se ata janë të gatshëm ta lejojnë 27-vjeçarin të largohet, mirëpo ata insistojnë se do ta bëjnë këtë vetëm nëse marrin ndonjë ofertë mjaftueshëm të mirë.

Neymari ende s’e ka bërë asnjë paraqitje për Paris Saint-Germainin në sezonin e ri të Ligue 1, por saga e transferimit të tij pritet të vazhdojë deri të hënën në 23:59 kur mbyllet afati kalimtar.

Duke folur pas fitores me rezultat 2:0 kundër Metz të premten, Leonardo e theksoi edhe një herë gatishmërinë e PSG-së për ta lejuar largimin e Neymarit, mirëpo shtoi se i takon Barcelonës ta bëjë një ofertë mjaftueshëm të mirë para se të mbyllet afati kalimtar.

“Pozicioni ynë ka qenë gjithmonë shumë i qartë, ata gjithmonë e kanë ditur se çfarë kemi kërkuar ne, ishim të qartë në çdo mënyrë të mundshme. Oferta e parë formale ishte më 27 gusht, pesë ditë para fundit të afatit kalimtar. Ne ishim të gatshëm të flasim me lojtarë të tjerë për ta arritur marrëveshjen, por kurrë nuk e morëm ofertën që e kërkuam”, ka thënë Leonardo.

“Gjithçka varet nga Barcelona, tani kanë mbetur edhe tri ditë para fundit të afatit kalimtar. Sot, marrëveshjen nuk e kemi. Ne ishim të hapur, por kanë mbetur vetëm edhe tri ditë deri në fund të afatit kalimtar”.

“Pozicioni i Neymarit ka qenë gjithmonë i qartë, i joni gjithashtu. Nëse një ofertë e kënaqshme do të vinte, ai mund të largohej. Por, nuk ndodhi kështu. Pozicionet tona ishin shumë të qarta për të gjithë. Të gjithë e dimë, ne nuk pajtohemi, ne dimë gjithçka, ne flasim me njëri-tjetrin, Barcelona bën propozime, ne i pranojmë ose jo”.

“Ne e themi të vërtetën, ishim të hapur ndaj largimit të tij vetëm nëse një ofertë do të ishte e kënaqshme për ne. Një ofertë e tillë nuk ka ardhur, asgjë nuk pritet të ndodhë deri të hënën”.

Leonardo gjithashtu e pranoi se marrëdhënia e Neymarit me klubin francez nuk është ideale dhe se ata tashmë e kishin shqyrtuar mundësinë e gjetjes së një zëvendësuesi për të.

“Ne e deshëm një zëvendësues dhe lojtarë të tjerë për ta kompletuar marrëveshje, ishim të hapur për një gjë të tillë”, shtoi drejtori sportiv i PSG-së.

“Ai është një lojtar i jashtëzakonshëm, nuk e njoh atë. Me kalimin e kohës, unë po e vlerësoj personalitetin e tij, ai është një djalosh i mirë. Por, është normale që duam ta kemi marrëdhënien më të mirë të mundshme me të dhe sot nuk e kemi një marrëdhënie ideale”.

(Kosova Sot Online  )