Lukaku: Nuk e di pse s’më shkoi mirë në Man United

  • 31 August 2019 - 09:17
Lukaku: Nuk e di pse s’më shkoi mirë në Man United

Romelu Lukaku e ka pranuar se ai  nuk e di pse nuk i shkoi mirë karriera sa ishte pjesë e Manchester Unitedit, mirëpo është mirënjohës për mundësitë që i dha klubi anglez atij.

Sulmuesi belg u transferua në Old Trafford nga Evertoni për 75 milionë funte gjatë afatit kalimtar të verës së vitit 2016 dhe luajti për dy sezone për “Djajtë e kuq”.

Ai i shënoi 18 gola në sezonin e tij debutues për klubin në Premierligë, mirëpo kjo shumë u zbrit në 12 për sezonin e kaluar, pasi Lukaku e humbi vendin në formacionin e parë të Manchester Unitedit pas emërimit të Ole Gunnar Solskjaerit në pozitën e trajnerit.

Lukaku u lejua të largohet nga Manchester Unitedi këtë verë për 74 milionë funte në Inter, mirëpo ai nuk mban mëri ndaj ish-klubit të tij, pasi është mirënjohës që e pati mundësinë të luajë për njërin ndër klubet më të mëdhenj në botë.

“Nuk e di. Unë nuk tentoj të kthehem në kohë për ta shikuar. Mënyra se si e shikoj këtë është se unë i mposhta të gjitha gjasat”, ka thënë Lukaku për BBC Sport, kur u pyet se çfarë shkoi keq në karrierën e tij me Manchester Unitedin.

“Duke ardhur nga ku erdha, duke u rritur ashtu si u rrita, mendoj se i mposhta të gjitha gjasat. Askush nuk mendoi se unë do t’i bëja hapat që i kam bërë në jetën time si futbollist, vetëm unë dhe familja ime”.

“Për mua, përvoja në Manchester United është një për të cilën jam mirënjohëse – jo një e mirë sepse ne nuk fituam dhe unë doja të fitoja me klubin – por ata ma dhanë një mundësi”.

“Unë e pata mundësinë të luaja në njërin ndër klubet më të mëdha në botë kështu që gjithmonë do t’i respektoj ata. Në fund të fundit, mendoj se ishte më mirë për mua që të eci përpara dhe të provoj gjëra të ndryshme”.

“Ju uroj atyre të gjitha të mirat në të ardhmen. Tani unë jam në rrugën time dhe jam shumë i lumtur në Serie A”.

Lukakus i është bashkuar në Inter edhe një tjetër ish-bashkëlojtar i tij në Manchester United, Alexis Sanchez, i cili i është bashkuar zikaltërve në formë huazimi për një sezon.

(Kosova Sot Online )