Pochettino e pranon se ka marrë shumë oferta për t’u larguar nga Tottenhami

  • 31 August 2019 - 09:45
Pochettino e pranon se ka marrë shumë oferta për t’u larguar nga Tottenhami

Mauricio Pochettino pretendon se i ka refuzuar shumë oferta pune që kur e  mori pozitën e trajnerit në Tottenham, edhe pse ai nuk beson se është diçka e veçantë për trajnerët që të ngjallin interesim.

E ardhmja e Mauricio Pochettinos në Tottenham është vënë në pikëpyetje disa herë gjatë sezoneve të fundit, pasi që arritjet e tij me klubin londinez disa herë e kanë vënë atë nën radarin e Real Madridit dhe  Manchester Unitedit.

Kishte pasur fjalë se ai do të largohej nga Tottenhami pas finales së sezonit të kaluar të Ligës së Kampionëve dhe së fundi mediat angleze raportuan se ai  mund të largohet edhe pas derbit të fundjavës me Arsenalin – lajme që trajneri i ka quajtur “budallallëqe”.

Megjithatë, Pochettino shtoi se ai ka marrë shumë oferta me kalimin e viteve për t’u larguar nga klubi, mirëpo ai beson se kjo nuk është e pazakontë për trajnerët e klubeve të mëdha të Premierligës.

“Po, kam pasur shumë oferta për t’u larguar. Shumë të tilla gjatë pesë vjetëve të fundit dhe Daniel [Levy, drejtuesi i Tottenhamit] e di për disa prej tyre – jo për të gjitha”, ka thënë Pochettino.

“Ofertat ishin nga kudo. Daniel e di shumë mirë se sa i përkushtuar jam ndaj këtij klubi. Jam shumë i përkushtuar, më shumë sesa që është normale. Por, është normale që trajnerët të marrin oferta”.

“Nëse e pyesni Pep Guardiolan, nëse e pyesni Jurgen Kloppin, nëse i pyesni trajnerët e mirë… Sigurisht që Guardiola po punon në City dhe ai merr oferta edhe nga klube të tjera. Ose Kloppi ose ndonjë trajner tjetër”.

“Kjo nuk e bën këtë të veçantë për mua. Ju më pyetët dhe kjo është përgjigja ime e sinqertë. Por, unë nuk i dua ato, kështu që mos e përdori për të thënë se sa i mirë jam sepse unë u thashë jo”. 

(Kosova Sot Online )