Barcelona s’do të bëjë ofertë tjetër për Neymarin

  • 31 August 2019 - 10:18
Barcelona s’do të bëjë ofertë tjetër për Neymarin

ESPN raporton se Barcelona nuk do të bëjë më asnjë ofertë tjetër për ta transferuar yllin e Paris Saint-Germainit, Neymarin, gjatë këtij afati kalimtar të verës.

Paris Saint-Germaini ia kërkoi Barcelonës 130 milionë euro plus Ivan Rakiticin, Jean-Clair Todibon dhe Ousmane Dembelen në formë huazimi. Kjo kërkesë e francezëve u refuzua nga Barcelona.

Përderisa Barcelona nuk i ka humbur shpresat për ta transferuar Neymarin, ata nuk janë të gatshëm ta bëjnë asnjë ofertë të re, me vetëm tri ditë të mbetura deri në fund të afatit kalimtar të verës.

Drejtuesit e Paris Saint-Germainit kanë bërë të ditur se ata janë të gatshëm ta lejojnë 27-vjeçarin të largohet, mirëpo ata insistojnë se do ta bëjnë këtë vetëm nëse marrin ndonjë ofertë mjaftueshëm të mirë.

Neymari ende s’e ka bërë asnjë paraqitje për Paris Saint-Germainin në sezonin e ri të Ligue 1, por saga e transferimit të tij pritet të vazhdojë deri të hënën në 23:59 kur mbyllet afati kalimtar.

Duke folur pas fitores me rezultat 2:0 kundër Metz të premten, drejtori sportiv i PSG-së Leonardo e theksoi edhe një herë gatishmërinë e PSG-së për ta lejuar largimin e Neymarit, mirëpo shtoi se i takon Barcelonës ta bëjë një ofertë mjaftueshëm të mirë para se të mbyllet afati kalimtar.

“Pozicioni ynë ka qenë gjithmonë shumë i qartë, ata gjithmonë e kanë ditur se çfarë kemi kërkuar ne, ishim të qartë në çdo mënyrë të mundshme. Oferta e parë formale ishte më 27 gusht, pesë ditë para fundit të afatit kalimtar. Ne ishim të gatshëm të flasim me lojtarë të tjerë për ta arritur marrëveshjen, por kurrë nuk e morëm ofertën që e kërkuam”, ka thënë Leonardo.

“Gjithçka varet nga Barcelona, tani kanë mbetur edhe tri ditë para fundit të afatit kalimtar. Sot, marrëveshjen nuk e kemi. Ne ishim të hapur, por kanë mbetur vetëm edhe tri ditë deri në fund të afatit kalimtar”.

“Pozicioni i Neymarit ka qenë gjithmonë i qartë, i joni gjithashtu. Nëse një ofertë e kënaqshme do të vinte, ai mund të largohej. Por, nuk ndodhi kështu. Pozicionet tona ishin shumë të qarta për të gjithë. Të gjithë e dimë, ne nuk pajtohemi, ne dimë gjithçka, ne flasim me njëri-tjetrin, Barcelona bën propozime, ne i pranojmë ose jo”.

“Ne e themi të vërtetën, ishim të hapur ndaj largimit të tij vetëm nëse një ofertë do të ishte e kënaqshme për ne. Një ofertë e tillë nuk ka ardhur, asgjë nuk pritet të ndodhë deri të hënën”.

Leonardo gjithashtu e pranoi se marrëdhënia e Neymarit me klubin francez nuk është ideale dhe se ata tashmë e kishin shqyrtuar mundësinë e gjetjes së një zëvendësuesi për të.

 

“Ne e deshëm një zëvendësues dhe lojtarë të tjerë për ta kompletuar marrëveshje, ishim të hapur për një gjë të tillë”, shtoi drejtori sportiv i PSG-së.

“Ai është një lojtar i jashtëzakonshëm, nuk e njoh atë. Me kalimin e kohës, unë po e vlerësoj personalitetin e tij, ai është një djalosh i mirë. Por, është normale që duam ta kemi marrëdhënien më të mirë të mundshme me të dhe sot nuk e kemi një marrëdhënie ideale”.

 (Kosova Sot Online )