Lukaku i kundërpërgjigjet komenteve të Neville për peshën e tij

  • 31 August 2019 - 11:06
Lukaku i kundërpërgjigjet komenteve të Neville për peshën e tij

Romelu Lukaku i është përgjigjur analistit Gary Neville, i cili ia kishte vënë në dyshim profesionalizmin e tij, duke iu referuar lëvdatave që i ka marrë nga ish-trajnerët e tij për përkushtimin e tij ndaj sportit.

Sulmuesi belg e kompletoi transferimin 74 milionë funtesh në Inter këtë verë, duke i dhënë fund karrierës dyvjeçare në Manchester United, që ishte e mbushur me momente të këqija dhe të mira, transmeton Gazeta Express.

Belgu u përball me shumë kritika pas largimin të tij. Ish-mbrojtësi legjendar i Manchester Unitedit, Neville, kishte thënë se Lukaku, që e ka pranuar se ka qenë mbipeshë, mund të shënojë gola në Inter, mirëpo mungesa e profesionalizmit është ngjitëse.

Dhe tani Lukaku, i cili e nisi debutimin në Serie A me një gol xhiron e kaluar, tha se ai vetëm duhet ta shikojë listën e gjatë të trajnerëve që e kanë lavdëruar atë për etikën e tij të punës për ta kuptuar se sa gabim e ka Neville.

“Mos dysho në profesionalizmin tim. Unë jetoj për këtë sport. Jam në shtëpi gjatë gjithë kohës, tentoj të bëj gjithçka për t’u përmirësuar”, tha Lukaku në një intervistë të dhënë për BBC Sport.

“Ai mund të flas për gjendjen time fizike, por mos të thotë asgjë kurrë për profesionalizmin tim, që unë nuk punoj mjaftueshëm. Kjo është diçka që s’mund ta thotë. Të gjithë trajnerët që i kam pasur e kanë thënë të njëjtën gjë për mua”.

“Çfarë tha Ole Gunnar Solskjaer kur isha në stërvitje? Çfarë tha ai? Që gjithmonë punoj shumë dhe e jap më të mirën time dhe tentoj të përmirësohem. E njëjta me Jose Mourinho dhe Roberto Martinezin e tani do ta thotë edhe Antonio Conte”.

“Në jemi burra të rritur. Ai është një analist dhe paguhet për të thënë gjëra të tillë. Unë paguhem për të luajtur futboll dhe thjesht dua ta jap më të mirën time për Interin. Kjo është e gjitha”. 

(Kosova Sot Online)