Pogba mbetet jashtë kalendarit të Man Unitedit, shkaku i spekulimeve për largim

  • 31 August 2019 - 12:01
Pogba mbetet jashtë kalendarit të Man Unitedit, shkaku i spekulimeve për largim

Drejtuesit e Manchester Unitedit ishin të bindur se ylli i skuadrës së tyre, Paul Pogba, do të largohej gjatë afatit kalimtar të verës, kështu që ai nuk u përfshi në kalendarin e klubit anglez për vitin 2020.

Fituesi i Kupës së Botës është emri më i madh në skuadrën e Manchester Unitedit, mirëpo për të nuk ka vend në kalendarin e “Djajve të kuq” për vitin 2020.

Ai është futbollisti me vlerën më të madhe në skuadrën e Manchester Unitedit dhe njëri ndër futbollistët më vlefshëm në botë, kështu që i sjell klubit më së shumti përfitime sa i përket shitjes së fanellave dhe reklamave.

Mirëpo, e ardhmja e tij në Old Trafford nuk ishte aspak e sigurt këtë verë, pasi ai kishte deklaruar se do t’i pëlqente ta sfidonte veten në ndonjë klub tjetër pas tri vjetëve të tij në Manchester United.

Kjo i shtyu drejtuesit e klubit të besojnë se mesfushori francez nuk do të jetë pjesë e skuadrës për sezonin 2019/20 dhe rrjedhimisht nuk e përfshinë atë as në kalendarin e klubit për vitin 2020, që kushton 6.99 funte.

Pasi që edhe Alexis Sanchezi dhe Romelu Lukaku tani janë larguar nga klubi për t;iu bashkuar Interit, lista e lojtarëve të profilit të lartë në Manchester United nuk është e madhe.

Për këtë arsye, fotoja e Ole Gunnar Solskjaerin e ilustron tetorin, ndërsa një foto e stadiumin “Old Trafford” është vendosur për muajin gusht.

Juan Mata e hap vitin në janar, i ndjekur nga pas nga Marcus Rashford në shkurt dhe Scott McTominay në mars. Sulmuesi francez Anthony Martial është i radhës në listë, për muajin prill, dhe Victor Lindelof e Andreas Pereira janë vendosur për muajt maj dhe qershor.

David de Gea e ilustron muajin korrik dhe Jesse Lingard shtatorin. Nemanja Matici është lojtari i nëntorit, ndërsa Luke Shaw e mbylll vitin. 

(Kosova Sot Online)