Kastrati i dërgon mesazh Challandesit, i cili s’e zgjodhi për ndeshjet e Kosovës

  • 31 August 2019 - 14:04
Kastrati i dërgon mesazh Challandesit, i cili s’e zgjodhi për ndeshjet e Kosovës

Në mesin e futbollistëve të ftuar nga trajneri Bernard Challandes për dy ndeshjet e radhës të Kosovës, e cila u publikua dje, nuk ishte edhe ylli kosovar i Lokomotiva Zagrebit, Lirim Kastrati.

Kosovës i mungojnë pesë futbollistë – Arbër Zeneli, Milot Rashica, Herolind Shala, Benjamin Kololli dhe Hekuran Kryeziu – për ndeshjet kundër Republikës Çeke dhe Anglisë, të vlefshme për kualifikimet në Kampionatin Evropian 2020.

Përkundër këtyre mungesave, trajneri Bernard Challandes vendosi t’u besojë disa futbollistëve të tjerë e jo Lirim Kastratit, i cili herën e kaluar shkëlqeu për Kosovën U-21 dhe që nga atëherë ka qenë mjaft mbresëlënës në kampionatin kroat.

Pasi u publikua lista e lojtarëve të zgjedhur nga Challandes, Kastrati i shënoi dy gola në fitoren me rezultat 6:1 kundër Slaven Belupos, në kuadër të xhiros së shtatë të ligës së nivelit të parë të futbollit në Kroaci.

Pas kësaj ndeshjeje, ai e shpërndau një postim të një faqeje në Instagram, ku Challandes u kritikua për mungesën e Kastratit për dy ndeshjet e shtatorit.

“Lirim Kastrati e përshëndeti sonte Bernard Challandesin me dy gola dhe një asistim, duke i treguar se e ka merituar të luajë në dy ndeshjet e shtatorit”, shkruhet në postimin e ripublikuar nga Kastrati.

“Shtatë ndeshje në sezonin e ri me Lokomotivën, pesë gola dhe tri asistime. Asnjë futbollist i Kosovës nuk po kalon formë më të mirë sesa Kastrati. Raketa e Lokomotivës dhe Kosovës.

 

Meqenëse nuk u ftua nga ekipi i parë i Kombëtares së Kosovës, Kastrati pritet të jetë pjesë e listës për Kombëtaren U-21. 

(Kosova Sot Online)