Edhe Southamptoni me dhjetë lojtarë e ndal Man Unitedin në Premierligë

  • 31 August 2019 - 15:33
Edhe Southamptoni me dhjetë lojtarë e ndal Man Unitedin në Premierligë

Manchester Unitedi e vazhdoi ecurinë e dobët në Premierligë – tri ndeshjet e fundit pa fitore – me barazimin 1:1 kundër Southamptonit me dhjetë lojtarë në fushë, në kuadër të xhiros së katërt të këtij sezoni në Premierligë.

Pas nisjes mbresëlënëse të sezonit të ri të Premierligës, me fitore 4:0 kundër Chelseat, Manchester Unitedi ka dështuar për të tretën herë radhazi të sigurojë fitore në këtë garë. Pas barazimit kundër Wolves dhe disfatës kundër Crystal Palace, skuadrën e Ole Gunnar Solskjaer e ka ndalur edhe Southamptoni.

Si në tri ndeshjet e kaluara, Manchester Unitedi dominoi sërish në lojë, sa i përket dominimit dhe rasteve të krijuara për të shënuar gol, mirëpo një kombinim i fatit të keq dhe pasaktësisë para golit bëri që “Djajtë e kuq” të humbin pikë sërish.
 

Image

Manchester Unitedi kaloi në epërsi qysh herët në ndeshjeje, falë një supergoli të shënuar nga i riu Daniel James, i cili e shënoi golin e tij të tretë në katër ndeshjet e para të Premeirligës këtë sezon.

Megjithatë, Southamptoni arriti ta barazojë rezultatin në pjesën e dytë përmes një goli të shënuar nga Jannik Vestergaard, i cili kërceu lart dhe arriti ta mposhtë David de Gean me gjuajtjen e tij me kokë.

Kevin Danso u ndëshkua me kartonin e dytë të verdhë në minutën e 75-të të ndeshjes, për shkak të një ndërhyrjeje ndaj Scott McTominayt, duke ia dhënë kështu Manchester Unitedit mundësinë për ta kthyer epërsinë.

Solskjaer tentoi ta ndryshojë rrjedhën e ndeshjeve edhe përmes zëvendësimeve, mirëpo tentimet e tij nuk ishin të suksesshme dhe Southamptoni arriti ta mbrojë barazimin deri në fund.

Tani lojtarët e të dyja skuadrave do ta marrin pushim nga klubet e tyre pasi që në fillim të muajit shtator do të zhvillohen ndeshje e ekipeve kombëtare.

Pas këtij pushimi, Manchester Unitedi do të përballet me Leicester Cityn më 14 shtator, ndërsa pesë ditë më vonë e pret në shtëpi Astanan, në kuadër të Ligës së Evropës. 

Kosova Sot Online