Southgate: Ekipin tim s’e ndjek dështimi, siç i ka ndjekur ekipet tjera kombëtare të Anglisë

  • 01 September 2019 - 10:04
Southgate: Ekipin tim s’e ndjek dështimi, siç i ka ndjekur ekipet tjera kombëtare të Anglisë

Trajneri i Anglisë, Gareth Southgate, thotë se ekipin e tij të ri anglez nuk e ndjek dështimi siç i ka ndjekur ekipet e mëparshme kombëtare, edhe pse përjetoi disa humbje zhgënjyese në garat e dy vjetëve të fundit.

“Tre luanët” u eliminuan në fazën gjysmëfinale në Kupën e Botës 2018 dhe në Ligën e Kombeve 2019, por Southgate mendon se arritja në fazën e thellë në këto gara do t’i bëjë mirë ekipit e tij në të ardhmen.

Ai thekson se natyra rinore e ekipit të tij ia ka mundësuar skuadrës të përparojë në një mënyrë që nuk do ta kishte arritur kurrë sikur ta kishte mbajtur në kombëtare gardën e vjetër të lojtarëve. 

“Mendoj se kur unë e mora drejtimin (e skuadrës), këtu ishte një grup (lojtarësh) i zhgënjyer dhe mbase kemi qenë të kufizuar në ndryshimin e kësaj”, tha Southgate para ndeshjeve të Grupit A kualifikues kundër Bullgarisë dhe Kosovës.

Anglia e viziton Bullgarinë më 7 shtator dhe tri ditë më vonë, më 10, e pret Kosovën në Southampton.

“Mendoj se lojtarët që i kemi tash e një kohë kanë fituar shumë më shumë përvojë pozitive, prandaj ne nuk kemi lojtarë të cilët i ndjek dështimi në fanellën e Anglisë. Megjithatë, kemi përjetuar zhgënjim në fazat e thella në ndeshje të mëdha”, shtoi ai.

(Kosova Sot Online)