Kapiteni i Liverpoolit e mbron Manen, që shprehu zemërimin ndaj Salah

  • 01 September 2019 - 15:54
Kapiteni i Liverpoolit e mbron Manen, që shprehu zemërimin ndaj Salah

Kapiteni i Liverpoolit, Jordan Henderson, beson se zemërimi që Sadio Mane e shfaqi në fitoren 3:0 kundër Burnley të shtunën, tregon thjesht nivelin e lartë të konkurrencës brenda skuadrës së Jurgen Kloppit.

Edhe pse Liverpooli fitoi bindshëm kundër, Mane nuk ishte plotësisht i lumtur. Ai doli nga loja i zemëruar me bashkëlojtarin e vet, Mohamed Salah, i cili nuk ia kishte pasuar topin brenda zonës. U desh ndërhyrja e Roberto Firmino dhe Jurgen Klopp për ta qetësuar.

Gjithçka ndodhi pas minutës së 80-të, pak para se Klopp ta largonte Manen nga loja, me rezultatin 3:0 për të kuqtë në atë kohë.

Gjatë lojës dhe para se të ndodhte zëvendësimi, Mane u zemëruar sepse Salah vendosi të mos ia pasonte topin edhe pse ai ishte i vetëm brenda zonës dhe portieri nuk do të kishte mundësi t’ia mbronte topin.

Henderson ishte në mesin e atyre që u përpoqën ta qetësonin sulmuesin senegalez, bashkë me Kloppin dhe Firminon.

Kapiteni i të kuqve thotë se është i lumtur që e pa bashkëlojtarin e vet duke i shfaqur emocionet edhe pse jo në një mënyrë pozitive.

“E kam parë këtë nga ai edhe më parë. Sadio është mirë, ai është djalë i mrekullueshëm”, tha Henderson.

“Këta jemi ne duke e nxitur njëri-tjetrin tërë kohën. Mendoj se kjo ka rëndësi. Të gjithë ne duam të përmirësohemi, të bëhemi më të mirë. Ne jemi të afërm me njëri-tjetrin dhe mendoj se mund ta menaxhojmë këtë situatë”, theksoi ai.

“Nuk jam i sigurt çfarë e xhindosi, të jem i sinqertë. Në fillim nuk e kuptoja, por pastaj ai erdhi (në zhveshtore) dhe po qeshte dhe po bënte shaka”, shtoi ai. 

Kosova Sot Online