Conte i lumtur me fitoren: Ishte ndeshje e vështirë, kam shumë besim tek lojtarët që kam në dispozicion

  • 02 September 2019 - 10:40
Conte i lumtur me fitoren: Ishte ndeshje e vështirë, kam shumë besim tek lojtarët që kam në dispozicion

Interi ka marrë edhe fitoren e dytë në po aq ndeshje në edicionin e ri në Serie A.

Pasi mposhtën fillimisht Leccen 4-0, tani Neroazzurët kanë triumfuar në udhëtim te Cagliari me rezultat 1-2.

Lautaro Martinez dhe Romelu Lukaku ishin autorët e golave për Interin në këtë takim.

E pas ndeshjes ka folur edhe tekniku italian i Interit, Antonio Conte duke e cilësuar si një ndeshje shumë të vështirë.

“Ishte një ndeshje shumë e vështirë në një fushë ku të gjithë do të kenë probleme, pamë një Cagliari ndryshe nga java e parë. Pas barazimit, e rritëm cilësinë e lojës për të gjetur golin e fitores”, deklaroi Conte.

Tekniku italian tha se ka besim jashtëzakonisht të madh tek lojtarët që ka në dispozicion.

“Lojtarët që kanë mbetur në skuadër kanë qëndruar pasi kam besim të verbër tek aftësitë e tyre. Kam shumë besim te lojtarët që kam në dispozicion. Jam i lumtur për Ranocchian për ndeshjen e dytë radhazi megjithëse kishte shumë kohë pa luajtur”, përfundoi tekniku italian.

Pas dy javëve të para në Serie A, Inter ndodhet në krye të tabelës me gjashtë pikë, aq sa ka edhe Juventus e Torino.

(Kosova Sot Online )