Roma i transferon dy sulmues

  • 02 September 2019 - 13:08
Roma i transferon dy sulmues

Pasi shiti Patrick Schick te Leipzigu, Roma është gati të prezantojë dy afrime mjaft të bujshme ,që në një organikë me djem të rinj të talentuar, do të sjellin eksperiencë dhe cilësi.

Bëhet fjalë për sulmuesin kroat Nikola Kaliniç që vjen në huazim me të drejtë blerjeje nga Atletico e Madridit dhe fantazistin armen Heinrikh Mkhitaryan, që vjen me të njëjtën formulë nga Arsenali.

Kroati ka mbërritur i pari në Romë mëngjesin e sotëm dhe pas një fotoje me shallin e verdhekuqve, ka nxituar për të kryer vizitat mjekësore, një ritual i domosdoshëm para zyrtarizimit të marrëveshjes.

“Jam shumë i lumtur që rikthehem në Itali. Dua të vihem në dispozicion të skuadrës dhe të tregoj vlerat e mia”, deklaroi Kalinic teksa zbriti në Fiumicino.

Pak orë më vonë, me një fluturim direkt nga Londra, mbërriti edhe armeni Mkhitaryan, që pozoi gjithashtu me shallin e skuadrës verdhekuqe dhe tani është duke kryer vizitat mjekësore.

Fantazisti 30-vjeçar vjen pas një eksperience jo fort të mirë në Londër te Arsenali dhe do të tentojë të rikthehen në formën më të mirë në ekipin italian.

(Kosova Sot Online)