Zyrtare: Messi, Ronaldo dhe Van Dijk të nominuarit për Lojtarin më të Mirë të FIFA-s

  • 02 September 2019 - 13:54
Zyrtare: Messi, Ronaldo dhe Van Dijk të nominuarit për Lojtarin më të Mirë të FIFA-s

Lionel Messi, Cristiano Ronaldo dhe Virgil van Dijk janë nominuar në listën e ngushtë prej tre futbollistëve për çmimin Lojtari më i Mirë i FIFA-s.

Kjo treshe ishte nominuar edhe për Lojtarin e Vitit të UEFA-s, të cilin e fitoi Van Dijk javën e kaluar, duke u bërë mbrojtësi i parë që e fiton këtë çmim.

Vitin e kaluar çmimin e rrëmbeu Luka Modric i Real Madridit, duke i mposhtur në garë Cristiano Ronaldon dhe Mohamed Salah.

Ndërkohë, Pep Guardiola është i nominuar për Trajnerin më të Mirë të FIFA-s pasi e udhëhoqi Manchester City drejt tripletës vendore në Angli sezonin e kaluar.

Në mesin e të nominuarve është edhe Jurgen Klopp pasi me Liverpoolin e tij e fitoi Ligën e Kampionëve.

Mauricio Pochettino, Tottenhami i të cilit u mund në finale të Champions nga Liverpooli, e kompleton treshen e të nominuarve.

Messi është në garë edhe për një çmim tjetër, pasi goli i tij kundër Real Betisit në mars është i nominuar për Çmimin Puskas për golin më të mirë të sezonit të kaluar.

(Kosova Sot Online)