Ronaldo zgjidhet futbollisti më i mirë portugez

  • 03 September 2019 - 12:55
Ronaldo zgjidhet futbollisti më i mirë portugez

Sulmuesi i Juventusit, Cristiano Ronaldo, është emëruar futbollisti më i mirë i Portugalisë për vitin 2019.

Cristiano Ronaldo e mori me vete në shtëpi çmimin për futbollistin më të mirë të vitit,  të dhjetin për të që nga viti 2007.

34-vjeçari e ndihmoi sezonin e kaluar Juventusin ta fitojë titullin e tetë radhazi të Serisë A me 28 golat e tij në ligë, pasi u transferua në Itali nga Real gjatë afatit kalimtar të verës për mbi 100 milionë euro.

Ai gjithashtu shfaqi formë të mirë për ekipin kombëtar të Portugalisë, duke u ndihmuar portugezëve ta fitojnë trofeun e garës inauguruese të UEFA-s, Ligën e Kombeve, gjatë kësaj vere.

Trajneri i Romës, Paulo Fonseca, nuk arriti ta fitojë çmimin për trajnerin më të mirë të vitit, pasi që ky çmim iu besua trajnerit të Benficas, Bruno Lage.

Djemtë dhe vajzat e Benficas u zgjodhën skuadrat më të mira të vitit, ndërsa çmimet individuale ishin më të ndara.

Trajneri i Bragas, Miguel Santos, u zgjodh trajneri më i mirë në konkurrencën e vajzave, ndërsa çmimin për futbollisten e vitit e mori Jessica Silva e Lyonit.

(Kosova Sot Online)