Eriksen, i zhgënjyer që s’arriti të largohet nga Tottenhami

  • 03 September 2019 - 13:03
Eriksen, i zhgënjyer që s’arriti të largohet nga Tottenhami

Christian Eriksen ka thënë se do t’i kishte pëlqyer ta kishe mundësinë për të vendosur për të ardhmen e vet si në lojën “Football Manager’, pasi që u shpreh i zhgënjyer që nuk arriti të largohet nga Tottenhami gjatë këtij afati kalimtar të verës.

Afati kalimtar i verës për klubet evropiane u mbyll të hënën në orën 23:59, kështu që mesfushori danez do të mbetet në skuadrën e Tottenhamit të paktën deri në janar.

Ai e kishte shprehur dëshirën e tij për ta vazhduar karrierën diku tjetër, pas gjashtë vjetëve në Angli. Real Madridi besohet se ishte njëri ndër klubet që shprehu më së shumti interesim për futbollistin.

Tottenhami ishte i përgatitur të dëgjojë oferta për Eriksenin, pasi që kontrata e tij me klubin i kishte vetëm edhe 12 muaj të mbetura. Megjithatë, asnjë marrëveshje s’u arrit këtë verë.

“Do të doja shumë që të kisha mundur të vendosja si në Football Manager, por fatkeqësisht nuk mundem”, u shpreh Erikseni për Ekstra Bladet.

Kur u pyet nëse komentet e tij të mëparshme kishin qenë një gabim, pasi që tani do të duhet të luftojë për një vend në skuadrën e Mauricio Pochettinos, Erikseni tha: “Jo, nuk ishte gabim. Por, ky është futbolli dhe ti nuk e di kurrë se çfarë do të ndodhë në futboll”.

“Për mua, është e vështirë ta qartësojë kokën time. Nuk lexoj shumë nga ato që po shkruajnë të tjerët. Çdo vit ka pasur shumë spekulime, por këtë vit ato ishin më të intensifikuara pasi që kontrata ime është afër skadimit”.

Erikseni luajti plot 90 minuta  në ndeshjen e fundit të Tottenhamit në Premierligës, në barazimin 2:2 kundër Arsenalit në Emirates.

(Kosova Sot Online)