De Ligt: Asgjë s’është e lehtë në Juventus

  • 03 September 2019 - 13:14
De Ligt: Asgjë s’është e lehtë në Juventus

Mbrojtësi i Juventusit, Matthijs de Ligt, e pranoi se asgjë nuk është e lehtë në Itali, pasi u zgjodh futbollisti më i mirë holandez për vitin 2019.

Matthijs De Ligt ishte kapiten i Ajaxit në rrugëtimin drejt gjysmëfinales së Ligës së Kampionëve sezonin e kaluar dhe ai i ndihmoi Holandës të arrijë deri në finale të Ligës së Kombeve, përkundër që ishte vetëm 19-vjeçar.

Gjatë afatit kalimtar të kësaj vere, që u mbyll të hënën në orën 23:59, De Ligti e kompletoi transferimin e tij nga Ajaxi në Juventus, përkundër që për të ishin interesuar një numër i madh i gjigantëve evropianë.

“Jam krenar që e fitoj këtë çmim për paraqitjet e mia si 19-vjeçar, edhe pse tani jam 20-vjeçar. I njoh lojtarët si Cruyff, Koeman, Van Basten dhe Gullit, por fatkeqësisht s’i kam parë kurrë ata në jetë reale duke luajtur”, ka thënë De Ligti.

“Është shumë e veçantë ta fitoj këtë pas Jan Vertonghenit. Si qendërmbrojtës, ai ishte shembull për mua në Ajax dhe unë ende flas shumë me të”.

Qendërmbrojtësi e luajti ndeshjen e tij të parë për Juventusin në Serie A të shtunën, kur Juventusi e mposhti Napolin me rezultat 4:3, pasi Giorgio Chiellini pësoi lëndim në gju.

“Mund të duket negative, por në Itali, në krahasim me Holandën, ne mendojmë më shumë individualisht. Për secilin lojtar planifikohet se si të bëhet më i mirë dhe çfarë i duhet. Një program personalizohet për ty”, shtoi De Ligti.

“Unë jam në një vend të ri dhe e di se asgjë nuk është e lehtë. Ky trofe është nder për gjeneratën e re të futbollit holandez”.

“Koeman, Van Persie, Robben dhe Van Gaal janë gjenerata e vjetër dhe unë shpresoj se do t’i japim futbollit atë që ia dhanë edhe ata. Do të punoj shumë për të pasur sukses në Itali”.

(Kosova Sot Online)