Neymari dhe Barcelona do të takohen në gjykatë

  • 03 September 2019 - 14:31
Neymari dhe Barcelona do të takohen në gjykatë

Futbollisti i Paris Saint-Germainit dhe gjiganti katalonas po e padisin njëri-tjetrin për transferimin e brazilianit në Paris para dy vjetëve.

Neymari dhe Barcelona do të takohen në gjykatë vetëm tri javë pasi tentimet e klubit spanjoll për ta kthyer brazilianin në skuadër dështuan. Konflikti mes tyre po vazhdon, përkundër spekulimeve se Barcelona do të tentojë ta kthejë Neymarin në skuadër sërish verën tjetër.

Megjithatë, futbollisti dhe klubi do të përballen kokë më kokë më 27 shtator në orën 10 të mëngjesit në një seancë gjyqësore në Barcelonë, pasi që Neymari e ka paditur Barcelonën për 26 milionë euro e Barcelona Neymarin për 75 milionë euro.

Nëse sulmuesi do të ishte kthyer te klubi që e solli atë në Evropë nga Brazili në vitin 2013, pritej që të dyja palët t’i tërhiqnin paditë e tyre. Megjithatë, pasi që Neymari mbeti në Paris, paditë ligjore do të vazhdojnë më tutje.

Paditë kanë të bëjnë me bonusin prej 40 milionë eurosh që Neymari pritej ta merrte për nënshkrimin e kontratës së re me Barcelonës, vetëm disa muaj para se të transferohej në Paris, falë 222 milionë eurove që PSG-ja i pagoi për të.

Neymari ishte paguar 14 milionë euro paraprakisht, ndërsa Barcelona nuk pranoi t’ia dorëzojë edhe 26 milionë eurot e tjera pasi që ai vendosi të largohej nga klubi. Futbollisti beson se atij i takon shuma e plotë, plus 10 për qind interes.

Në anën tjetër, Barcelona e ka paditur futbollistin për 75 milionë euro pasi që ai nuk iu përmbajt kontratës së vet.

Seanca gjyqësore veçse është shtyrë dy herë. Fillimisht ishte planifikuar që ajo të mbahet më 31 janar, mirëpo në minutën e fundit e shty për 21 mars. Pasi që avokatët e Neymarit nuk pranuan ta zbulojnë kontratën e futbollistit me PSG-në, seanca u shty sërish për 27 shtator. 

(Kosova Sot Online)