Berisha i kthehet Kosovës pas gati një viti, tregon objektivat

  • 03 September 2019 - 14:41
Berisha i kthehet Kosovës pas gati një viti, tregon objektivat

Valon Berisha do të rikthehet Përfaqësuesen e Kosovës për herë të parë që nga nëntori i vitit të kaluar. Shkaku i lëndimeve, mesfushori kosovar ka munguar në ndeshjet e deritashme në kualifikimet e Euro 2020. Por, tash mesfushori i Lazios është gati për duelet me Republikën Çeke dhe Anglinë

Valon Berisha më në fund është vënë në dispozicion të Përfaqësueses së Kosovës pas një kohe të gjatë, shkruan Gazeta Express.

Futbollisti kosovar i dha fund periudhës së errët të lëndimeve dhe tash është gati për ndeshjet me Republikën Çeke dhe Anglinë, në kuadër të fazës kualifikuese të Euro 2020.

Mesfushori i Lazios ka thënë se ende nuk është në 100 për qind të formës, por beson se shumë shpejtë do të jetë në nivelin e tij më të mirë.

Ai i ka munguar ekipit Verdhekaltër pas afro një viti, shkaku i lëndimeve të njëpasnjëshme.

“Prej nëntorit nuk kam luajtur me Kombëtaren. Jam shumë krenar me rezultatet që i ka arritur Kosova. Ma merr mendja që askush nuk e ka pritur këtë sukses. Sa i përket formës ende nuk e kam atë nivel që e kam pasur, pasi 6 muaj kam qenë jashtë për shkak të lëndimit, por kam punuar shumë në stërvitje dhe pas çdo loje do e kthej formën”, ka thënë Berisha.

Ai beson se Kosova mund të dalë mirë nga ndeshja me Çekinë, e cila do të zhvillohet këtë të shtunë në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë.

“Anglia dhe Çekia janë favoritë në grupin tonë, pasi kanë eksperiencë të madhe. Janë dy ndeshje shumë të rëndësishme sidomos kjo në shtëpi kundër çekëve, që ma merr mendja që është çelësi i këtij grupi për neve. Ndërkaq në Angli nuk kemi çfarë të humbim, duhet të dalim e të luftojmë dhe të shohim çfarë mundemi të marrim. Nëse marrim një pikë është bonus, derisa fitorja është fantazi. Ma merr mendja që me mbështetjen e tifozëve do të shkojmë për fitore, pasi edhe ne tash njihemi mirë me njëri-tjetrin”, ka përfunduar futbollisti i lindur dhe rritur në Norvegji.

(Kosova Sot Online)