FC Prishtina falënderon Mirel Josën, kërkon trajner të ri

  • 03 September 2019 - 17:30
FC Prishtina falënderon Mirel Josën, kërkon trajner të ri

FC Prishtina e ka falënderuar përmes uebfaqes së vetë zyrtare trajnerin e deritashëm, Mirel Josa, me të cilin i ndau rrugës së fundmi

FC Prishtina dhe Mirel Josa i kanë ndarë rrugët pas humbjes së Bardhekaltërve nga Feronikeli, në derbin e xhiros së tretë të IPKO Superligës.

Klubi kryeqytetas, përmes uebfaqes së vetë zyrtare e ka falënderuar trajnerin shqiptar për bashkëpunimin dhe punën e bërë në këtë klub gjatë kësaj periudhë.

“FC Prishtina dhe kryetrajneri Mirel Josa, me marrëveshje, kanë shkëputur kontratën. Josa, ishte vendosur kryetrajner i klubit në muajin shtator të vitit 2017 duke debutuar kundër Gjilanit në javën e 6-të në Gjilan (0:0). Josa, ka udhëhequr skuadrën në 79 ndeshje zyrtare, duke fituar 46 prej tyre, 21 barazime dhe 12 humbje. Ka fituar Kupën e Kosovës më 2017/18 dhe dy herë nënkampion i Kosovës duke mos fituar titullin në dy vite rresht në ndeshjen e fundit. Mireli, do të kujtohet për punën profesionale, si me futbollistë, medie dhe opinionin publik. Mireli do të kujtohet për kulturën e lartë sportive. FC Prishtina, Mirel Josës, i uron sukses në vazhdim të karrierës. Faleminderit Mirel! Klubi së shpejti do të cakton kryetrajnerin e ri”, ka shkruar klubi më i madh kosovar.

Prishtina e ka nisur mjaft dobët sezonin e ri duke barazuar me Flamurtarin dhe duke humbur nga Feronikeli, ndërsa ndeshja me Dukagjinin është shtyrë.

(Kosova Sot Online)