Roshi: Ndaj Francës dhe Islandës do ta japim maksimumin

  • 03 September 2019 - 19:01
Roshi: Ndaj Francës dhe Islandës do ta japim maksimumin

Odise Roshi ishte një nga dy futbollistët e kombëtares kuqezi që dolën në konferencë për shtyp mesditën e sotme për të folur për takimin e radhës që Shqipëria ka ndaj Francës më 7 shtator. Fillimisht Roshi u ndal te gjëndja e tij fizike.

“Pas operacionit e kam marrë veten mirë dhe kam zhvilluar disa ndeshje. Mendoj se jam në formë optimale tashmë. Kombëtarja është shumë mirë dhe ndeshjen e fundit kemi fituar. Kemi një ndeshje të rëndësishme kundër Francës dhe Islandës. Luajmë ndaj një kundërshtari të mirë dhe dihet se ku luajnë. Do të hyjmë në fushë dhe të japim maksimumin”.

Përsa i përket mundësive që ka për të luajtur si titullar në Stade de France dhe skemës që përdor trajneri Reja, Roshi deklaroi.

“Nëse hyj e di trajneri, por unë jap gjithmonë maksimumin. Asisti dhe kur shënoj është diçka shumë pozitive për mua sepse kontribuoj për ekipin tim. Fryma është shumë e mirë por për ne rëndësi kanë rezultatet. Ne gjithmonë bëjmë maksimumin, kanë ardhur edhe të rinj dhe shpresoj të bëjmë mirë.Trajneri luan nga krahët por ende nuk është vendosur kush luan. Shpresoj që ata që luajnë të japin maksimumin dhe të marrim rezultat pozitiv. Do të ishte diçka e bukur për të gjithë shqiptarët.3-5-2? Kam luajtur edhe në Rusi, por trajneri ende nuk e ka bërë skemën pasi kemi kundërshtar të fortë”.

Franca ndaj Shqipërisë do të ketë 5 mungesa të mëdha siç janë ato të Mbappe, Kante, Pogba, Dembele e Laporte, por Roshit nuk i intereson shumë ky fakt pasi sipas tij gjelat kanë një skuadër të mbushur me yje.

“Mungesat e Francës? Edhe ata që janë në stol luajnë në ekipe të mëdha dhe nuk e kanë problem. Nuk është mirë të flasësh, fitojmë apo humbim. Me Francën kemi fituar këtu dhe barazuar atje, por ia lëmë ndeshjes më mirë.”


(Kosova Sot Online)