Kuqezinjtë kryejnë seancën e tretë stërvitore, të gjithë në dispozicion të Rejas

  • 03 September 2019 - 22:08
Kuqezinjtë kryejnë seancën e tretë stërvitore, të gjithë në dispozicion të Rejas

Kombëtarja shqiptare zhvilloi këtë pasdite seancën e dytë për këtë të martë dhe të tretën në radhë, me ekipin që u shfaq sërish në humor gjatë stërvitjes në kompleksin Tropikal.

Në prag të ndeshjeve eliminatore me Francën dhe Islandën, të vlefshme për Euro 2020-ën, trajneri Edi Reja në fillim të seancës kishte sërish të gjithë lojtarët në dispozicion dhe lajmi pozitiv ishte mungesa e dëmtimeve në prag të këtyre përballjeve, të cilat në sfidat e fundit të Shqipërisë e kishin penalizuar jo pak skuadrën duke patur shpeshherë problem me infermierinë e sidomos me element të rëndësishëm të ekipit.

Gjithsesi në mesin e seancës shfaqën disa probleme muskulore, për shkak të ngarkesës që kanë patur gjatë fundjavës, Frederik Veseli dhe Ledian Memushaj, edhe pse nuk flitet për gjëra serioze dhe kjo nuk duhet të përbëjë ndonjë problem për stafin teknik.

Si zakonisht seanca stërvitore filloi me disa ushtrime të lehta fizike, kryesisht shkrydhje, me ekipin që më pas vazhdoi përgatitjet pas 15 minutave të zakonshme të lejuara me mediat, duke u përqendruar dhe në disa përgatitje taktike për sfidën e radhës me Francën, që do të luhet me datë 7 shtator.

(Kosova Sot Online)