Jovici e pranon: Nuk është e lehtë të ambientohesh në Real Madrid

  • 04 September 2019 - 11:20
Jovici e pranon: Nuk është e lehtë të ambientohesh në Real Madrid

Luka Jovic ka bërë të ditur se tani është i gatshëm ta dëshmojë talentin e vet në Real Madrid, pasi fillimisht e pati të vështirë ta nisë karrierën në kryeqytetin spanjoll në këtë fillim të sezonit të ri të La Ligës, 2019/20.

Sulmuesi serb – i cili i shënoi 27 gola sezonin e kaluar – është ende duke u ambientuar me skuadrën e re, pasi që Real Madridit iu bashkua vetëm këtë verë nga Eintracht Frankfurti për 70 milionë euro.

Një lëndim gjatë turneut parasezonal e la Jovicin prapa dhe sulmuesi i ri ende nuk ka arritur ta shënojë gol për gjigantin e La Ligës në tre paraqitjet e tij deri më tani.

Megjithatë, Jovici ndihmoi në krijimin e një goli me pasimin e tij mbresëlënës në ndeshjen e tij të parë si titullar në La Liga, kur Real Madridi barazoi me rezultat 2:2 kundër Villarrealit, para se të fillonte pushimi i ndeshjeve të ekipeve kombëtare.

Kur u pyet për nisjen e sezonit të ri me Real Madridin, 21-vjeçari e pranoi se ai nuk e ka pasur të lehtë të ambientohet në kryeqytetin spanjoll, por se është i gatshëm ta japë më të mirën e tij kur t’i jepet mundësia.

“Pas parasezonit, normalisht që tani situata po bëhet e mirë”, u shpreh Jovici.

“Isha i lënduar, u lëndova në incidentin e karton të kuq kur u detyrova ta lë në gjysmë ndeshjen kundër Arsenalit [në pjesën e parë të ndeshjes për International Champions Cup, kur Jovici mbeti i lënduar nga një ndërhyrje e Nacho Fernandez, i cili u ndëshkua me karton të kuq]”.

“Nuk është e lehtë për një lojtar të ri, por mendoj se unë e përballova atë në mënyrën më të mirë të mundshme dh tani jam i gatshëm t’u përgjigjem kërkesave më të mëdha”.

Jovici foli në një konferencë për shtyp, para ndeshjes së ekipit kombëtar të Serbisë kundër Portugalisë në Beograd, në kuadër të kualifikimeve për Kampionatin Evropian 2020. 

(Kosova Sot Online)