Shqipëria zhvillon stërvitjen e fundit para se të niset në Francë

  • 04 September 2019 - 14:36
Shqipëria zhvillon stërvitjen e fundit para se të niset në Francë

Ekipi kombëtar i Shqipërisë do t’i mbyllë sot pasdite seancat stërvitore në Shqipëri, pasi që së shpejti do të niset drejt Francës, ku do ta zhvillojë ndeshjen me kampionen e botës më 7 shtator.

Në kuadër të ndeshjeve të shtatorit, kualifikuese për Kampionatin Evropian 2020, Shqipëria do të përballet me Francën më 7 shtator dhe pastaj do ta presë Islandën në shtëpi tre ditë më vonë.

Për këto dy sfida të mëdha që i kanë para vetes, mesfushori Keide Bare i Malagës u shpreh optimist dhe tha, gjatë konferencës për shtyp në Durrës, se kundër Francës e synojnë të paktën një barazim.

“E prisja shumë këtë ftesë dhe jam shumë i lumtur që ndodhem këtu. Kam folur përpara dy ditësh me trajnerin dhe me tha fjalë shumë të mira, unë do ta justifikoj mendimin e tij të mirë që ka për mua në fushë”, tha Bare.

“Pavarësisht nëse do të luaj unë apo jo, e rëndësishme është që të zhvillojmë ndeshje të mirë dhe të marrim rezultat të mirë. Unë kam rivalitet në repartin tim, por nuk shoh emrat e tjerë, stërvitem për vete dhe jap maksimumin tim”.

“Ky është vetëm fillimi im në kombëtaren A. Ekipin e shoh shumë të motivuar, por Franca është një ekip shumë i madh dhe ka lojtarë që bëjnë diferencën. Pavarësisht mungesave edhe të tjerët i ka lojtarë shumë të mirë por kjo nuk duhet të na pengojë që të marrim një rezultat pozitiv. Me një barazim do të jem shumë i kënaqur”.

Për herë të parë në ekipin e parë të Kombëtares së Shqipërisë është ftuar edhe mbrojtësi i Veronës, Murush Kumbulla, i cili më parë i kishte përfaqësuar kuqezinjtë vetëm për grupmoshat më të reja.

“Shpresoj të shkoj më lart se sa tek ekipi i Veronës edhe pse nuk kam patur vitin e shkuar shumë hapësira. Sa i përket ftesës që mora për ekipin A u emocionova shumë sepse e dija që do të luaja tek ekipi shpresa U21”, ka thënë Kumulla.

“Këtu ka lojtarë me shumë eksperiencë që do të më ndihmojnë edhe mua. Nuk kam patur ndonjë komunikim special me trajnerin por ndihem mirë”.

Kuqezinjtë do të udhëtojnë të enjten në orën 11:00 drejt Francës, ku do t’i zhvillojnë edhe dy seanca të tjera stërvitore dhe një konferencë për shtyp një ditë përpara përballjes.

Në anën tjetër, drejtësinë në këtë ndeshje do ta ndajnë gjyqtarët spanjollë. Gjyqtar kryesor është Jesus Gil Manzano, ndërsa anësorë janë Diego Barbero Sevilla dhe Angel Nevado Rodriguez. Gjyqtar i katërt është Jose Maria Sanchez Martinez.

(Kosova Sot Online)