Mesazhi prekës i Fergusonit për Ronaldon, pasi zgjidhet futbollisti më i miri i vitit në Portugali

  • 04 September 2019 - 14:40
Mesazhi prekës i Fergusonit për Ronaldon, pasi zgjidhet futbollisti më i miri i vitit në Portugali

Pasi Cristiano Ronaldo e theu rekordin duke u zgjedhur për të dhjetën herë futbollisti më i mirë portugez i vitit, ish-trajneri i tij, Sir Alex Ferguson, ia dërgoi atij një mesazh të veçantë e prekës.

Cristiano Ronaldo i është referuar Sir Alex Fergusonit si babai i tij në futboll në disa raste në të kaluarën, pasi ata të dy e formuan një marrëdhënie të mrekullueshme duke punuar për gjashtë vjet bashkë në Manchester United.

Fergusoni e solli portugezin në Angli nga Sporting Lisbona në vitin 2003 dhe i ndihmoi atij të shndërrohet në sulmuesin e famshëm që ai është bërë gjatë viteve vijuese të karrierës së tij.

Skocezi e lejoi Ronaldon edhe ta bëjë realitet ëndrrën e vet për të luajtur për Real Madridin, përkundër që ai do të kishte preferuar të bashkëpunonte me cilindo klub tjetër në planet.

“A mendon se do të futesha në kontratë më atë mafi. Për hir të Zotit, s’ka asnjë mundësi”, kishte thënë Fergusoni në dhjetor të vitit 2008, gjashtë muaj para transferimit të Ronaldo në Santiago Bernabeu. “Nuk do t’ua shisja atyre as edhe një virus”.

Megjithatë, privatisht Fergusoni ia kishte dhënë Ronaldos fjalën në verën e vitit 2008: ma jep edhe një sezon tjetër dhe pastaj mund të shkosh në Madrid. Si rezultat i kësaj, Ronaldo ka qenë shumë mirënjohës ndaj Fergusonit dhe ata janë përshëndetur sa herë që janë takuar diku.

Dhe, të hënën, Fergusoni ia dërgoi një video mesazh Ronaldos, pasi sulmuesi e Juventusit e fitoi për të dhjetën herë çmimin për futbollistin më të mirë portugez të vitit.

“Urime për arritjen e mrekullueshme dhe për natën e mrekullueshme që je duke e kaluar në Portugali. Më vjen keq që s’mund të jem aty me ty, por unë e kthej kokën prapa dhe të shoh si djalosh të vogël, 17-vjeçar, kur erdhe në Manchester United”, thotë Fergusoni.

“Tani, ti je zhvilluar si njeri dhe je bërë një sportist fantastik. Dua të të them ty, nënës tënde dhe të gjithë familjes tënde e fëmijëve të tu: Ju lumtë!. Ka qenë një kënaqësi e vërtetë për mua të të njoh dhe të punoj me ty dhe të të kem parë duke u zhvilluar si futbollist”. 

(Kosova Sot Online)