Lovreni zbulon pse dëshironte të largohej nga Liverpooli

  • 04 September 2019 - 15:01
Lovreni zbulon pse dëshironte të largohej nga Liverpooli

Dejan Lovreni ka zbuluar se përkundër që dëshironte të largohej nga Liverpooli gjatë afatit kalimtar të verës, ai është i lumtur të qëndrojë në skuadër dhe insistoi se e refuzoi një ofertë të Romës pasi që nuk ndiente se mund ta dëshmonte veten aty.

Roma dhe Milani ishin të interesuar ta transferojnë qendërmbrojtësin kroat në Itali, pasi që ai e humbi vendin në formacionin e parë të Liverpoolit, pasi që u përball me shumë lëndime gjatë 12 muajve të fundit.

Dhe Lovreni sugjeroi që, pasi e fitoi Ligën e Kampionëve dhe arriti të jetë nënkampion në Kupën e Botës 2018, ai nuk ishte i gatshëm ta pranojë një transferim të përkohshëm që nuk i garantonte atij futboll të rregullt.

“U ndjeva i lehtësuar pasi u mbyll afati kalimtar. Isha lodhur duke lexuar dhe dëgjuar çdo ditë spekulime për largimin ose qëndrimin tij në Liverpool. Të gjithë shkruanin: “Lovreni është këtu, Lovreni është atje’ dhe ata nuk dinin asgjë. Kjo më zemëroi dhe më shkaktoi dhimbje koke”, ka thënë Lovreni.

“Nuk dëshirova ta detyroj Liverpoolin të më shesë. Para dy vjetëve unë nënshkrova kontratë të re dhe e kam shijuar çdo moment në Liverpool. Kam arritur gjëra të mëdha që s’do t’i arrija nëse s’do të isha në një klub të madh si Liverpooli. Ne luajtëm në dy finale radhazi të Ligës së Kampionëve, e fituam njërën, dhe unë e shijova besimin e trajnerit”.

“Por pas Kupës së Botës, unë e pata një krizë – edhe mendore, edhe fizike. Mënyra më e mirë për ta thënë këtë është që isha harxhuar. Nuk e ndieja të njëjtin pasion ose tension që e kisha ndierë më parë dhe pas tre apo katër muajve edhe u lëndova”.

“Kur u ktheva, Jurgen Kloppit nuk i pëlqenin disa gjëra dhe unë e kuptoj atë. Unë erdha në qendrën stërvitore i lënduar, edhe pse nuk e dija se isha i lënduar. E dija se i kisha disa probleme, por mendova se mund t’i zgjidhja ato si zakonisht”.

“Unë e pranova pozitën time, fola me trajnerin disa herë, fola për sezonin e ri dhe Kloppi e bëri shumë të qartë: ai më tha se mund të largohem nëse e gjej një klub të ri dhe nëse dëshiroja të largohem. Por, ai edhe më tha se Liverpooli ka nevojë për mua”.

“Unë e shqyrtova mundësinë e largimit, e dija se e kam dhënë më të mirën time për Liverpoolin, e kisha fituar Ligën e Kampionëve dhe nuk jam tipi i lojtarit që pranon të jetë në stol dhe të fitojë para”.

“Milani më kontaktoi por Roma ishte më insistuese. Por, negociatat nuk shkuan mirë. Unë nuk dua të shkoj diku dhe ta dëshmoj veten kush jam dhe si luaj dhe nëse jam gati apo jo. Unë jam profesionist, e kam fituar Ligën e Kampionëve, medaljen e argjendtë në Botëror dhe nuk meritoj të huazohem dhe ta kem dikë të ma testojë cilësinë”. 

(Kosova Sot Online)