Ylli i Çekisë: I duam 6 pikë ndaj Kosovës e Malit të Zi, e synojmë vendin e dytë

  • 04 September 2019 - 17:21
 Ylli i Çekisë: I duam 6 pikë ndaj Kosovës e Malit të Zi, e synojmë vendin e dytë

Patrik Schick beson se Republika Çeke mund t’i fitojë 6 pikë në dy ndeshjet e ardhshme kualifikuese të Euro 2020. Sulmuesi i rrezikshëm çek thotë se ekipit të tij i duhen fitoret ndaj Kosovës dhe Malit të Zi në shtator, në mënyrë që t’i shtohen gjasat për ta përforcuar vendin e dytë, i cili siguron kualifikim në Euro 2020

Ylli i Kombëtares së Republikës Çeke, Patrick Schick është i gatshëm për dy ndeshjet e ardhshme në shtator, ndaj Kosovës dhe Malit të Zi, të vlefshme për kualifikimet e Euro 2020.

Çekët do t’i zhvillojnë dy ndeshje në udhëtim, më 7 shtator në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë dhe pas tri ditësh, më 10 të këtij muaji, ata do të luajnë me malazezët në Podgoricë.

Schick, i cili së fundmi u largua nga Roma për t’iu bashkuar Leipzigut, thotë se ai me shokë i kërkojnë 6 pikë në këto dy ndeshje, në mënyrë që ta përforcojnë pozitën e dytë, e cila siguron pjesëmarrje në Euro 2020.
 

Image

“Unë jam i fokusuar tërësisht tek ekipi kombëtar dhe në dy ndeshjet që na presin. Do të vendoset shumëçka, unë jam i gatshëm”, ka thënë fillimisht Schick për uebfaqen zyrtare të Kombëtares së Republikës Çeke.

“Nëse i fitojmë të dyja ndeshjet, do të jemi shumë afër për ta siguruar vendin e dytë. Ne do të përgatitemi për ta dhënë më të mirën nga vetja. Ne nuk do ta nënvlerësojmë askënd. Gjashtë pikë nga këto dy ndeshje (ndaj Kosovës e Malit të Zi) janë synimi ynë”, ka përfunduar Schick, i cili kishte shënuar në të dy ndeshjet, në fitoren 2:1 ndaj Bullgarisë dhe në triumfin kundër Malit të Zi, 3:0.

Ndeshja ndërmjet Kosovës dhe Republikës Çeke do të zhvillohet këtë të shtunë në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë duke filluar nga ora 15:00.

(Kosova Sot Online)