Bare: Kundër Francës na kënaq edhe barazimi

  • 04 September 2019 - 18:06
Bare: Kundër Francës na kënaq edhe barazimi

Mesfushori Keidi Bare u rikthye në Kombëtaren Shqiptare dhe ishte përzgjedhur që të dilte në konferencën për shtyp ditën e sotme, ku foli për ndeshjet e radhës eliminatore dhe momentin që po kalon në Spanjë te Malaga.

Keidi si ndiheni për rikthimin në Kombëtare?
Të them të drejtën e prisja shumë këtë ftesë dhe jam shumë i lumtur që jam këtu. Shpresoj që tani të jap maksimumin për të mirën e ekipit.

Keni folur me trajnerin? Besoni se jeni në plan për të luajtur nga fillimi?
Kam folur pak para dy ditësh dhe më foli shumë fjalë të mira. Nuk e di a do të luaj, por po punoj fort që të justifikoj në fushë besimin e teknikut.

Po luani rregullisht te Malaga. Mendoni se do jeni në formacion këto dy takime?
Këtë e vendos trajneri, por pavarësisht se kush do lozë, rëndësi ka që të dalim sa më mirë në këto takime.

Në mesfushë ka rivalitet shumë të fortë. Çfarë ju motivon juve për t’u stërvitur fort?
Unë stërvitem maksimalisht për veten time dhe jam i përqendruar për të bërë më të mirën për ekipin. Ata kanë shumë ndeshje me Kombëtaren dhe shumë eksperiencë, pro unë jam gati të jap më të mirën time.

E keni nisur mjaft mirë sezonin? A është kjo përgjigja më e mirë për skeptikët?
Unë punoj fort për t’u rritur vazhdimisht, pasi nuk duhet vetëm një sezon i mirë, por rritje e vazhdueshme nga java në javë. Besoj se do vazhdoj të punoj në të njëjtën mënyrë, për të bërë më të mirën time si për skuadrën ku luaj, ashtu edhe kombëtaren.

Te Malaga ka ardhur edhe Sadiku. Si është situata aty?
Fola me Sadikun dhe më tha që ndihet shumë mirë atje. Njerëzit atje janë shumë mikpritës dhe besoj se Sadiku do të japë maksimumin për të bërë diçka të mirë për atë skuadër.

Si e keni parë skuadrën këto ditë dhe sa gati jeni për ndeshjen ndaj Francës?
Skuadrën e shoh shumë të motivuar dhe të gjithë punojnë shumë mirë, duke dhënë maksimumin, por duhet të theksoj se Franca është një ekip shumë i madh dhe ka emra shumë të bujshëm në organikë, që mund të bëjnë shumë mirë, megjithatë ne jemi gati të japim maksimumin, për të marrë një rezultat të mirë.

A besoni realisht te një rezultat pozitiv në Francë?
Unë besoj çdo gjë, pasi në futboll mund të arrish gjithçka, pavarësisht kundër kujt luan. Megjithatë ne duhet të japim maksimumin tonë dhe të shpresojmë që të marrim diçka.

Me sa pikë do të ishit të kënaqur nga këto dy takime?
Të them 6, dukem pak si egoist. Franca është shumë ekip i fortë, por ne mund të tentojmë që të marrim të paktën një barazim.

(Kosova Sot Online)