Fabregas se pse e refuzoi Real Madridin: I takoja Arsenalit dhe ëndërroja për Barcelonën

  • 05 September 2019 - 08:40
Fabregas se pse e refuzoi Real Madridin: I takoja Arsenalit dhe ëndërroja për Barcelonën

Cesc Fabregas ka zbuluar se Real Madridi kishte bërë shumë përpjekje për ta blerë atë gjatë kohës së tij në Arsenal, por ai e kishte hedhur poshtë mundësinë për t’iu bashkuar të bardhëve.

Pasi doli nga akademia e Barcelonës, Fabregas iu bashkua Arsenalit në vitin 2003 në kërkim të një rruge më të mirë për ta fituar një vend në ekipin e parë.

Mesfushori spanjoll e fitoi pikërisht këtë në Londrën veriore, duke u bërë futbollisti më i ri në histori të Arsenalit kur debutoi në ekipin e parë në tetor të vitit 2003, si vetëm 16-vjeçar.

Ai u zhvillua dhe u bë ndër talentet më të ndritur të Evropës, duke iu ndihmuar “Topçinjve” ta fitojnë titullin në FA Cup në sezonin 2004/05 dhe kalimin në finale të Ligës së Kampionëve.

Madridi kishte tentuar ta transferojë për herë të parë kur ai ishte adoleshent, por Fabregas kishte vendosur t’ia shpaguante besimin trajnerit të tij Arsene Wenger.

“Ata më kërkuan më shumë se një herë apo dy herë”, tha Fabregas për AS.

“Herën e parë kur më kërkuan isha shumë i ri. Isha 18-vjeç dhe më ofruan pagë të madhe, por unë ndieja se i takoja Arsenalit. Wenger kishte besim të madh në mua. Nuk mundja të largohesha”, shtoi ai.

“I jam mirënjohës Real Madridit për interesimin që shfaqi për mua, ama unë gjithmonë kam ëndërruar të luaj për Barçën”, theksoi ai.

(Kosova Sot Online )