Mesfushori i Man United: Përgjegjësia i takon trajnerit Solskjaer nëse ne s’garojmë për titull

  • 05 September 2019 - 08:59
Mesfushori i Man United: Përgjegjësia i takon trajnerit Solskjaer nëse ne s’garojmë për titull

Nemanja Matic thotë se Ole Gunnar Solskjaer duhet ta mbajë përgjegjësinë nëse Manchester Unitedi nuk garon për titull në Premierligë.

Matic, i cili iu bashkua Unitedit më 2017 nga Chelsea, i ka zhvilluar vetëm 22 minuta futboll këtë sezon, pas paraqitjes së tij të parë si zëvendësues kundër Southamptonit, transmeton Gazeta Express.

Unitedi, i cili për herë të fundit e fitoi ligën më 2013, renditet në vendin e tetë në tabelë pas katër ndeshjeve dhe ngel shtatë pikë prapa liderit Liverpool.

“Trajneri duhet ta zgjedhë ekipin i cili lufton për titull dhe nëse ai nuk fiton, atëherë ai e mban përgjegjësinë”, Matic tha për gazetarë para ndeshjes së Serbisë kundër Portugalisë për kualifikim në Euro 2020.

“Unë jam në futboll për një kohë të gjatë, i kam zhvilluar pothuajse të gjitha ndeshjet për të gjitha klubet që kam luajtur në 10 vjetët e fundit. Në mënyrë që unë të luaja, dikush është dashur të ulej në bankën e rezervistëve dhe ta pranojë faktin, dhe unë po e bëj tani”, shtoi ai.

Solskjaer e ka zgjedhur 22-vjeçarin Scott McTominay përkrah Paul Pogbas në qendrën e mesfushës së Unitedit në katër ndeshjet e para dhe edhe pse Matic e respekton vendimin e norvegjezit, ai është i vendosur t’ia dëshmojë atij se e ka gabim.

“Në ndeshjet e para ai e zgjodhi ekipin pa mua. Nuk ka problem. I thashë se nuk pajtohem me të, por se ai duhet ta zgjedhë ekipin. Më takon mua ta dëshmoj se ai e ka gabim”, këmbënguli ai.

(Kosova Sot Online )