Ronaldinho emërohet ambasador i Brazilit, përkundër që i është konfiskuar pasaporta

  • 06 September 2019 - 08:31
Ronaldinho emërohet ambasador i Brazilit, përkundër që i është konfiskuar pasaporta

Përkundër që nuk ka mundësi të largohet nga Brazili, Ronaldinho së fundi u emërua ambasadori i ri i turizmit në Brazil.

39-vjeçarit, i cili e fitoi Kupën e Botës 2002 me Kombëtaren e Brazilit, iu konfiskua pasaporta në maj të këtij viti, pasi që ai nuk arriti ta paguajë një gjobë që i ishte shqiptuar shkaku i dëmtimit të ambientit.

Ronaldinho dhe vëllai i tij u dënuar pasi që e ndërtuan ilegalisht një vend peshkimi në liqenin Guaiba në vitin 2015, pa marrë licencë adekuate për ndërtim në atë zonë.

Për shkak të kësaj akuze, dyshja u dënua me 8.5 milionë funte në nëntor të vitit 2018 dhe, pasi që kjo gjobë nuk u pagua, Gjykata Superiore e Drejtësisë në Brazil vendosi të mos e lejojë Ronaldinhon të largohet nga vendi.

I izoluar në vendlindjen e tij, ish-ylli i Barcelonës dhe Milanit është duke e shfrytëzuar këtë kohë për ta promovuar turizmin në Brazil.

“Turizmi është shumë i rëndësishëm për krijimin e vendeve të reja të punës dhe për ta rifituar imazhin tonë ndërkombëtar”, u shpreh Ronaldinho, pasi që u bë e ditur se i është besuar ky rol, të enjten.

Fituesi i Topit të Artë në vitin 2005 e mori vullnetarisht këtë rol nga Instituti Brazilian i Turizmit. 

(Kosova Sot Online)