Williams arrin finalen e US Open, ku do të përballet me Bianca Adreescu

  • 06 September 2019 - 09:34
Williams arrin finalen e US Open, ku do të përballet me Bianca Adreescu

Serena Williams e ka siguruar edhe një mundësi për ta barazuar rekordin me 24 tituj të Grand Slams, pasi e mposhti Elina Svitolina për ta arritur finalen e US Open.

Amerikania 37-vjeçare e mposhti ukrainasen me sete 6-3 dhe 6-1 dhe tani synon ta fitojë Grand Slamin e parë që nga koha kur e lindi vajzën e saj, në shtator të vitit 2017.

Gjashtë-herë kampionia do të përballet me 19-vjeçaren kanadeze Bianca Andreescu në finalen e së shtunës në Nju Jork.

Në një takim tërheqës, Andreescu e mposhti e mposhti zviceranen Belinda Bencic 7-6 (7-3) 7-5.

Andreescu, e cila po luan në US Open për herë të parë dhe po garon vetëm për herë të katërt në një Grand Slam, u lind vetëm nëntë muaj pasi Williams e fitoi titullin e saj të parë në Flushing Meadows në vitin 1999.

Williams konsiderohet tashmë nga shumë njerëz si tenistja më e mirë e të gjitha kohëve, mirëpo ajo nuk dëshiron të ndalet deri sa ta barazojë e pastaj ta thyejë rekordin e australianes Margaret Court për më së shumti tituj të fituar në Grand Slams gjatë karrierës.

Që kur e lindi vajzën e saj para dy vjetëve, që ia rrezikoi amerikanes jetën, ajo ka arritur dy herë në finale të Wimbledonit, mirëpo nuk ka arritur ta shënojë kthimin e saj në tenis me titull.

(Kosova Sot Online )