Xhaka i përgjigjet Shaqirit: Nëse problemi është shiriti i kapitenit, eja merre

  • 06 September 2019 - 10:51
Xhaka i përgjigjet Shaqirit: Nëse problemi është shiriti i kapitenit, eja merre

Granit Xhaka ka ofruar ta dorëzojë shiritin e kapitenit të Kombëtares së Zvicrës nëse kjo gjë do të ndikojë që ylli i Liverpoolit, Xherdan Shaqiri, të kthehet në skuadrën e Kombëtares helvetike.

Ylli i Liverpoolit nuk e pranoi ftesën e Zvicrës për të marrë pjesë në dy ndeshjet e radhës, në kuadër të kampanjës kualifikuese për Kampionatin Evropian 2020 – kundër Irlandës, që përfundoi 1:1 të enjten, dhe kundër Gjibraltarit, që do të zhvillohet të shtunën.

Fillimisht, Kombëtarja e Zvicrës njoftoi se Shaqiri s’e ka pranuar ftesën pasi që dëshiron të përqendrohet te Liverpooli. Megjithatë, gazeta zvicerane Blick zbuloi se Liverpooli nuk është duke mbajtur stërvitje pasi që trajneri Jurgen Klopp u ka dhënë të gjithëve pushim.

Pas këtij lajmi të Blickut, mediat zvicerane raportuan se arsyeja e vërtetë prapa mungesës së Shaqirit është emërimi i Granit Xhakës si kapiten i skuadrës, pasi që pretendohet se Shaqiri kishte dashur të jetë ai kapiten.

Teknikisht, ish-mbrojtësi i Arsenalit, Stephan Lichtsteiner, është ende kapiteni i parë i Zvicrës, mirëpo ai nuk është ftuar për këto ndeshje pasi që nuk e dëshmoi veten gjatë turneut parasezonal.

Lichtsteiner do të mbetet kapiten i parë i Zvicrës deri sa të pensionohet nga Kombëtarja ose vetë Kombëtarja të bëjë të ditur se ai nuk do të jetë më pjesë e skuadrës. Deri atëherë, Xhaka do ta ketë përgjegjësinë e kapitenit.

“Nëse shiriti i kapitenit është me të vërtetë problemi, atëherë ne mund të ulemi së bashku në një tavolinë. Ne jemi të mjaftueshëm të rritur për të diskutuar për këtë gjë”, ka thënë Xhaka pas barazimit në Dublin.

“Nëse ai me të vërtetë është i pakënaqur për shiritin e kapitenit, atëherë ai mund ta marrë shiritin e kapitenit. Kjo nuk paraqet problem për mua. Nuk ka rëndësi nëse atë e mbaj unë ose jo. Unë dua të jap gjithçka për këtë skuadër, qoftë kjo me shirit apo jo”. 

(Kosova Sot Online)