Chamberlain: Ëndërrojmë trofeun e EURO 2020, por së pari duhet ta mposhtim Kosovën

  • 06 shtator 2019 - 13:50
Chamberlain: Ëndërrojmë trofeun e EURO 2020, por së pari duhet ta mposhtim Kosovën

Mesfushori i Liverpoolit dhe Anglisë, Alex Oxlade-Chamberlain, synon trofeun e Kampioantit Evropian 2020, mirëpo thekson se fillimisht anglezët do të duhet ta mposhtin Kosovën dhe Bullgarinë.

Alex Oxlade-Chamberlain është duke e ëndërruar suksesin në Kampionatin Evropian 2020, pasi që e kishte shikuar një pjesë të rrugëtimit të Anglisë drejt gjysmëfinales së Kupës së Botës në një lokal në Londër.

26-vjeçari mbeti një vit jashtë fushave të futbollit për shkak të një lëndimi serioz në gju, që e la atë jashtë skuadrës së “Tre Luanëve” për Kupën e Botës të verës së kaluar në Rusi.

Tani, Chamberlain është rikuperuar plotësisht dhe është ftuar nga trajneri i Anglisë, Gareth Southgate për ndeshjet e radhës kualifikuese për Kampionatin Evropian 2020, kundër Bullgarisë dhe Kosovës.

“Lëndimi erdhi në një moment të gabuar, por disa futbollistë përballen me lëndime që ia përfundojnë karrierën menjëherë. Unë e pata mundësinë të kthehem. Është ëndrra e çdo djaloshi të fitojë me Kombëtaren”, u shpreh Chamberlain.

“Ne duhet t’i respektojmë atë që i kemi përballë vetes dhe ne mund t’i ëndërrojmë këto ëndrra, por së pari duhet ta mposhtin Bullgarinë e pastaj Kosovën”.

“Mund të ketë më shumë pritshmëri tani në turneun e radhës. Por, kjo është emocionuese për ne dhe mendoj se kjo skuadër e ka vetëbesimin për t’u përballur me këtë presion”.

Anglia do të përballet fillimisht nesër me Bullgarinë e tre ditë më vonë do ta presë ekipin kombëtar të Kosovës në stadiumin e Southamptonit “St. Mary’s”. 

(Kosova Sot Online)