Fabregas parashikon lojtarin e ardhshëm që do ta dominojë futbollin pas largimit të Messit

  • 06 September 2019 - 19:20
Fabregas parashikon lojtarin e ardhshëm që do ta dominojë futbollin pas largimit të Messit

Ish-anëtari i Arsenalit, Barcelonës dhe Chelseat, Cesc Fabregas beson se sulmuesi i Paris Saint-Germian, Kylian Mbappe, pritet ta dominojë botën e futbollit në vitet e ardhshme.

Si 20-vjeçar, sulmuesi francez ka shënuar 102 gola për klubin dhe kombëtaren, duke i fituar tre tituj të Ligue 1 dhe një Kupë të Botës.

Lionel Messi dhe Cristiano Ronaldo kanë fituar 10 Topa të Artë së bashku dhe konsiderohen si lojtarët më të mirë në histori të futbollit. 

Por, mesfushori i Monacos, Fabregas beson se Mbappe, që ishte në vendin e katërt  për Topin e Artë në vitin 2018, do ta dominojë futbollin në vitet e ardhshme.

“Ai është një fenomen. Është e qartë se në vitit e ardhshme do të bëhet lojtari më i mirë në botë”, ka thënë Fabregas.

“Unë gjithmonë mendoj si një mesfushor dhe po ta kisha në skuadër, gjithmonë do t’i asistoja pasi është shumë i shpejtë, shpërthen, por është edhe i mençur kur i driblon kundërshtarët”.

“Ai e pret rastin e tij. Thierry Henry dhe Diego Costa ishin të mirë në këtë gjë. Kështu si qëndrojnë gjërat, Mbappe është shumë i uritur për sukses”, ka shtuar më tej spanjolli.

Fabregas ka thënë se është e vështirë të gjendet një zëvendësues i Messit, mirëpo Mbappe mund ‘i afrohet me sukses.

(Kosova Sot Online)