Pas fitores, Halimi kujton futbollistët e lënduar të Kosovës: Po na mungojnë të gjithë

  • 07 September 2019 - 17:36
Pas fitores, Halimi kujton futbollistët e lënduar të Kosovës: Po na mungojnë të gjithë

Përkundër që ishte i lumtur me fitoren e arritur sot në “Fadil Vokrri”, Besar Halimi nuk i harroi pesë futbollistët e lënduar të Kosovës, të cilët nuk morën pjesë në këtë ndeshje,

“Ekipi kombëtar i Kosovës ka arritur të sigurojë fitore të rëndësishme, me rezultat 2:1 në ndeshjen kundër Republikës Çeke, e cila u zhvillua sot në stadiumin “Fadil Vokrri”, në kuadër të kualifikimeve për Kampionatin Evropian 2020.

Fitorja e sotshme e “Dardanëve” jo vetëm që e vazhdon ecurinë e ndeshjeve pa disfatë në 15 të tilla, por edhe ia jep Kosovës tri pikë të rëndësishme në ëndrrën për t’u kualifikuar në Kampionatin Evropian 2020.

Kosovës në këtë ndeshje i munguan Arbër Zeneli, Milot Rashica, Hekuran Kryeziu, Herolind Shala dhe Benjamin Kololli. Halimi i kujtoi të gjithë ata, mirëpo të veshur e mbajti fanellën e Kryeziut.

“Po na mungojnë të gjithë ata, por edhe pa ta arritëm ta mposhtim Çekinë dhe shpresoj se do të arrijmë të vazhdojmë kështu”, ka thënë Halimi.

“Varet, besoj që me këtë ekip që e kemi normalisht më shumë e kemi topin dhe kemi më shumë pasime të mira. Unë personalisht qëndroj më mirë në aspektin defansiv”.

“Besoj që edhe Çekia ka hyrë shumë ashpër në këtë lojë, e cila ishte me të vërtetë shumë e ashpër”.

“Kemi hyrë në duele me krejt çka kemi pasur dhe prandaj e kemi merituar të fitojmë”.

Kosova do ta vazhdojë ëndrrën për kualifikim në EURO 2020 të martën, kur do të përballet me Anglinë në stadiumin e Southamptonit, “St. Mary’s”.

Megjithatë, Kosova e ka edhe një rrugë të dytë për ta siguruar pjesëmarrjen në Evropian, përmes play-offs të Ligës së Kombeve, ku në gjysmëfinale do të takohet me Maqedoninë, e në finale mund të përballet me Bjellorusinë ose Gjeorgjinë.

(Kosova Sot Online)