Rrahmani: Fitorja ndaj Çekisë një hap shumë i mirë

  • 07 September 2019 - 17:39
Rrahmani: Fitorja ndaj Çekisë një hap shumë i mirë

Mbrojtësi i kombëtares së Kosovës, Amir Rrahmani, ka thënë se sot në “Fadil Vokrri” kanë arritur të mposhtin ekipin favorit për vendin e dytë në grupin A.

Rrahmani ka thënë se ky është një hap jashtëzakonisht i mirë për kombëtaren e Kosovës, por thotë se i pret punë e vështirë në ndeshjet me Anglinë.

“E kemi bërë një hap të mirë, sepse e kemi mund rivalin kryesor për vendin e dytë, sepse anglezët janë favorit. Anglia i ka dy ndeshje më pak, por ka qenë një  hap shumë i mirë për fitore. Çekia ka qenë favorite që të jetë e dyta në grup, sepse kanë një ekip shumë të mirë”, ka thënë Rrahmani.

Ai ka shpjeguar edhe për vështirësitë që kanë pasur gjatë ndeshjes, pasi çekët kanë luajtur me topa të gjatë dhe se lojtarët shtatgjatë u kanë nxjerrë telashe.

“Ata provuan me topa të gjatë të na sulmojnë. Kishin lojtar të gjatë dhe me kualitet. Na bënin presing të lartë. Nuk është e lehtë që t’ua rrëmbenin topin”, është shprehur ndër të tjera Rrahmani.

Kosova ka fituar me rezultat 2:1 ndaj Çekisë. Aktualisth ndodhet në pozitën e parë në Grupin A me 8 pikë. Ka dy pikë më shumë se Anglia në vendin e dytë e cila ka dy ndeshje më pak të zhvilluara.

(Kosova Sot Online)