Trajneri i Çekisë: Kosova po bën histori

  • 07 September 2019 - 17:55
Trajneri i Çekisë: Kosova po bën histori

Trajneri i Çekisë, Jaroslav Silhavy, e ka lavdëruar Kombëtaren e Kosovës për paraqitjet dhe rezultatet e arritura deri më tani, duke shtuar se atmosfera në “Fadil Vokrri” ishte mbresëlënëse.

Ekipi kombëtar i Kosovës arriti të sigurojë fitore të rëndësishme, me rezultat 2:1 në ndeshjen kundër Republikës Çeke, e cila u zhvillua sot në stadiumin “Fadil Vokrri”, në kuadër të kualifikimeve për Kampionatin Evropian 2020.

Silhavy pas ndeshjes tha se Kosova e meritoi fitoren, ata i shfrytëzuan mjaft mirë gabimet tona dhe në fund arritën një fitore tejet të rëndësishme.

Ai gjithashtu tha se atmosfera e krijuar në stadiumin “Fadil Vokrri” ishte mbresëlënëse.

“Një humbje jo e lehtë për ne. Luajtëm mirë e dhamë maksimumin gjatë gjithë kohës. Gabimet tona ndikuan në rezultat dhe duhet të ua urojmë fitoren. Ndoshta ndeshjet të cilat i kemi zhvilluar në shtëpi, kemi menduar që do të shkojmë përpara. Unë edhe më herët e ceka, ishte një ndeshje e ashpër dhe në fund humbëm. E shënuam një gol mjaftë herët, mirëpo kur na barazuan, ata filluan t’i shpejtoni sulmet. Fati nuk e deshi që Patrik Schik të mos shënoj edhe golin e dytë, po të shënonte ai gjërat normalisht që do të ishin ndryshe” tha pas ndeshjes trajneri çek.

Ai shtoi se Kosova po bën histori.

“Kosova është duke krijuar një histori, është e dukshme që të gjithë djelmoshat e përfaqësueses së Kosovës janë lojtarë që luajnë jashtë vendit dhe mjafton kur e shikojmë që gjestet në fushë të Muriqit tregojnë se më të vërtet kjo është një kombëtare në ngritje, po bënë histori. Nuk duhet të themi një shtet i vogël dhe me thënë se nuk ka ekip të madh, ka ekip të madh dhe po bënë histori”, tha ai.

Kosova do ta vazhdojë ëndrrën për kualifikim në EURO 2020 të martën, kur do të përballet me Anglinë në stadiumin e Southamptonit, “St. Mary’s”.

Megjithatë, Kosova e ka edhe një rrugë të dytë për ta siguruar pjesëmarrjen në Evropian, përmes play-offs të Ligës së Kombeve, ku në gjysmëfinale do të takohet me Maqedoninë, e në finale mund të përballet me Bjellorusinë ose Gjeorgjinë.

(Kosova Sot Online)