Golashënuesi i Çekisë: Duhej të kishim fituar, Kosova i pati vetëm ato dy raste

  • 07 September 2019 - 20:15
Golashënuesi i Çekisë: Duhej të kishim fituar, Kosova i pati vetëm ato dy raste

Golashënuesi i Çekisë në ndeshjen kundër Kosovës, Patrick Schick, u shpreh i zhgënjyer që skuadra e tij nuk arriti ta marrë asnjë pikë nga ndeshja në “Fadil Vokrri”, pasi që, sipas tij, Kosova i pati vetëm ato dy raste që i konkretizoi në gola.

Ekipi kombëtar i Kosovës arriti të sigurojë fitore të rëndësishme, me rezultat 2:1 në ndeshjen kundër Republikës Çeke, e cila u zhvillua sot në stadiumin “Fadil Vokrri”, në kuadër të kualifikimeve për Kampionatin Evropian 2020.

“Ne duhej ta kishim fituar këtë ndeshje. Megjithatë, Kosova është një kundërshtar i pakëndshëm. Për fatin tonë të keq, ata i shënuan dy gola nga dy mundësi”, u shpreh Schick.

“Nuk mbaj mend se Kosova e kishte ndonjë mundësi tjetër. Ata thjesht e nxorën maksimumin nga ato dy mundësi. Në përgjithësi, ndeshja jonë nuk është e mirë, nuk ishim befasues dhe të fshehtë”.

Fitorja e sotshme e “Dardanëve” jo vetëm që e vazhdon ecurinë e ndeshjeve pa disfatë në 15 të tilla, por edhe ia jep Kosovës tri pikë të rëndësishme në ëndrrën për t’u kualifikuar në Kampionatin Evropian 2020, raporton Gazeta Express.

Nga gjithsej katër ndeshje të zhvilluara deri më tani, Kosova i ka siguruar dy fitore – kundër Çekisë dhe Bullgarisë – dhe dy barazime – kundër Malit të Zi dhe Bullgarisë.

Kosova do ta vazhdojë ëndrrën për kualifikim në EURO 2020 të martën, kur do të përballet me Anglinë në stadiumin e Southamptonit, “St. Mary’s”.

Megjithatë, Kosova e ka edhe një rrugë të dytë për ta siguruar pjesëmarrjen në Evropian, përmes play-offs të Ligës së Kombeve, ku në gjysmëfinale do të takohet me Maqedoninë, e në finale mund të përballet me Bjellorusinë ose Gjeorgjinë. 

(Kosova Sot Online)