Hadergjonaj për Daily Mail: Bashkëlojtarët e mi kanë ikur nëpër bjeshkë për t’i shpëtuar luftës

  • 08 September 2019 - 12:38
Hadergjonaj për Daily Mail: Bashkëlojtarët e mi kanë ikur nëpër bjeshkë për t’i shpëtuar luftës

Florent Hadergjonaj, futbollisti i Kosovës i lindur dhe rritur në Zvicrës, beson se ekipi kombëtar i futbollit mund ta tregojë anën e mirë të Kosovës. Në një intervistë për mediumin britanik “Daily Mail”, 25-vjeçari tregon sesi disa nga shokët e ekipit kombëtar kanë vuajtur për të mbijetuar si fëmijë nga regjimi serb.

Hadergjonaj iu bashkua Kombëtares së Kosovës në fillim të këtij viti, pasi e kishte përfaqësuar ekipin kombëtar U21 të Zvicrës paraprakisht.

“Kur ne lojtarët ulemi dhe bisedojmë, nuk flasim vetëm për futbollin”, tha Hadergjonaj për Daily Mail. 

“Të gjithë e rrëfejnë historinë e vet. Ata që nuk ishin në Kosovë gjatë luftës, i dëgjojnë ata që ishin”, shtoi ai.

“Ne dëgjojmë sesi bashkëlojtarët tanë kishin ecur bjeshkëve për të ikur kur ishin fëmijë të vegjël. Kanë ecur dy deri në tri ditë, derisa të shtënat kanë krisur përreth tyre. Është gjë emocionuese, sepse e kupton që edhe familja jote, xhaxhallarët dhe kushërinjtë tuaj janë përballur me të njëjtën gjë”, shtoi mbrojtësi i djathtë i Huddersfield.

Hadergjonaj beson se futbolli mund ta tregojë anën e mirë të Kosovës.

“Ekipi i futbollit mund ta tregojë anën e mirë të vendit. Lojtarët tanë janë lindur në vende të ndryshme, por bashkohen dhe krijojnë gjëra. Dashuria për futbollin është e çmendur. Ne e mundem Bullgarinë në Sofje dhe qindra tifozë qëndruan deri në orën 3 të mëngjesit në aeroport për të na përshëndetur”, shpjegoi ai.

“Kur dalim për të ngrënë, ata nuk na lënë të paguajmë. Stërvitja është i aheng. Njerëzit shikojnë dhe e lëshojnë muzikën. Nuk mund ta parafytyroj sesa mirë do të ishte sikur të kualifikoheshim në Euro 2020”, përfundoi ai.

(Kosova Sot Online)