Portieri i Kosovës zbulon sekretin: Kjo do të na ndihmojë ta ndalim Anglinë

  • 09 September 2019 - 16:25
Portieri i Kosovës zbulon sekretin: Kjo do të na ndihmojë ta ndalim Anglinë

Sulmuesi i Anglisë, Raheem Sterling, pritet që t’i shkaktojë mjaft kokëçarje mbrojtjes së Kosovës në ndeshjen e të martës që do të luhet në St Marys’s Stadium nga ora 20:45.

Megjithatë portieri i kombëtares së Kosovës, Arijanet Muriç, shpreson që do të arrijë të ndalë furinë e Sterling, pasi thotë që e njeh mirë atë, meqenëse  i ka rënë të stërvitet çdo ditë gjatë kohës sa ishte pjesë e Manchester Cityt.

“Unë mendoj se kjo më ndihmon. Jam stërvitur çdo ditë me Sterling, me Sanchon dhe të rinjtë. Ne e njohim njëri tjetrin”, ka thënë Muriç për ‘Daily Mail’.

Muriç i cili tashmë është dërguar si huazim nga City tek Nothingam Forest, thotë se me kërkesë të Sterlingut ka mbajtur edhe ushtrime shtesë.

“ Veçanërisht e njoh Sterlingun, pasi çdo ditë stërvitesha ekstra me të. Ai më kërkonte që qëndroja pas ushtrimeve, dhe kam mbrojtur shumë goditje të tij për ta ndihmuar atë që të kishte finalizim më të më të mirë. Por unë nuk them se e kam ndihmuar, ai e ndihmoi veten e tij”, ka thënë ndër të tjera Muriç.

Kjo ndeshje e Kosovës me Anglinë vjen pas një fitoreje mjaft të rëndësishme prej 2:1 kundër Çekisë në ‘Fadil Vokrri’, dhe pas një serie pa humbje prej 15 ndeshjesh.

Aktualisht Kosova renditet e dyta në Grupin A me 8 pikë, një pikë më shumë ka Anglia që ndodhet në pozitën e parë, ndërkohë Çekia renditet në pozitën e tretë me vetëm 6 pikë, Mali i Zi në vendin e katërt me vetëm 2 pikë, aq sa ka edhe Bullgaria në vendin e pestë.

(Kosova Sot Online)