Trajneri i Anglisë ka disa fjalë për Muriqin, Mërgim Vojvodën!

  • 09 September 2019 - 23:56
Trajneri i Anglisë ka disa fjalë për Muriqin, Mërgim Vojvodën!

Southgate ka vetëm fjalë të mira për lojtarët e Kosovës para ndeshjes të martën në “St Mary’s Stadium”. Ai ka përmendur Celinën, Muriqin e Vojvodën, për këtë të fundit thotë se “është një mbrojtës shumë i fortë, me aftësi të mira edhe sulmuese”.

Angli – Kosovë, do të jetë më shumë se një ndeshje.

Të martën, në “St Mary’s Stadium” nga ora 20:45, do të përballen dy skuadrat që s’dinë për humbje.

Anglia nuk ka humbur asnjë ndeshje kualifikuese që nga tetori i vitit 2009, derisa Kosova nuk ka humbur asnjë ndeshje ndërkombëtare që nga tetori i vitit 2017.

Para këtij takimi, në konferencë për media është shfaqur trajneri i “Tre Luanëve”, Gareth Southgate.

Duke folur për ndeshjen, Southgate përmendi edhe disa lojtarë të Kosovës që i pëlqejnë, duke vecuar Celinën, Muriqin e Vojvodën.

 “Cilët lojtarë të kanë impresionuar më shumë? Dy anësorët që janë këtu janë të mirë, Celinën e njohim shumë mirë nga Swansea, e njohim qendër sulmuesin Muriqi, është shumë i mirë fizikisht, që të dy bëjnë shumë presion dhe luajnë me shumë energji, gjë që e ndihmojnë shumë ekipin”, u shpreh Southgate.

Vedat Muriqi duke festuar golin kundë Çekisë

“E njoh gjithashtu mbrojtësin e djathtë, Vojvodën, është mbrojtës i fortë por që jep shumë edhe në sulm. I fortë fizikisht, harkimet i ka të mira, ka potencial për të hyrë në zonë dhe për të shënuar edhe gola, jo vetëm siç bëri në ndeshjen e së shtunës, por edhe më parë. Kështu që po, dimë gjithçka, kanë skuadër të fortë dhe jemi përgatitur për ndeshjen”, shtoi ai.


(Kosova Sot Online)