Kush e fiton ndeshjen Angli-Kosovë sipas Haradinajt

  • 10 September 2019 - 12:11
Kush e fiton ndeshjen Angli-Kosovë  sipas Haradinajt

Kryeministri në dorëheqje, Ramush Haradinaj, ka bërë të ditur se e do fitoren në ndeshjen e sotshme të Kosovës kundër Anglisë, përmes llogarisë së tij në rrjetin social Facebook.

Ekipi kombëtar i Kosovës do ta vazhdojë rrugëtimin drejt kualifikimit në Kampionatin Evropian 2020 me ndeshjen e sotshme kundër Anglisë, e cila nis në orën 20:45 në stadiumin e Southamptonit, “St. Mary’s”.

Kjo ndeshje do të jetë e vlefshme për Grupin A të kualifikimeve në EURO – ku garojnë edhe Republika Çeke, Mali i Zi dhe Bullgaria. Favorite për ta fituar këtë grup është Anglia, mirëpo Kosova do të mund ta sigurojë një vend në Evropian edhe duke u radhitur e dyta në grup.

Për këtë ndeshje – njëjtë si për atë kundër Çekisë – trajnerit Challandes i mungojnë në skuadër pesë futbollistë të cilët zakonisht luajnë në formacionin e parë – Milot Rashica, Arbër Zeneli, Herolind Shala, Hekuran Kryeziu dhe Benjamin Kololli.

“Sonte, djelmoshat e Kombëtares e kanë zor, krejt e dimë që e kanë zor. Por, ne krejt jemi me ta për fitore. Unë do të jem sot në amfiteatër të kryeqytetit tonë, te Hotel Grand, bashkë me qytetarët për ta përcjellë ndeshjen”, thotë Haradinaj.

“Dardanët sot me siguri janë me djelmoshat, mirëpo ne tjerët që jemi këtu ju bashkohemi prej Prishtinës. E duam fitoren”.

Momentalisht, Anglia e kryeson grupin A me nëntë pikë të fituara nga tri ndeshje të zhvilluara. Fitorja sonte do t’ia vazhdonte rekordin e 100 për qindtë në rrugën drejt EURO 2020, ndërsa disfata do të bënte që Kosova ta marrë kreun e grupit.

Në anën tjetër, Kosova radhitet e dyta në grup, me tetë pikë të grumbulluara nga katër ndeshje të zhvilluara. Fitorja do t’i vazhdonte Kosovës ecurinë e jashtëzakonshme prej 15 ndeshjeve pa disfatë, ndërsa humbja do t’ia jepte Republikës Çeke mundësinë ta marrë sërish vendin e dytë, pasi që çekët sot do të përballen me Malin e Zi.

Kjo është hera e parë që Kosova po përballet me Anglinë, ndërsa gjatë këtij viti do ta zhvillojë edhe një tjetër ndeshje me “Tre Luanët” – me 17 nëntor në stadiumin “Fadil Vokrri”. 

(Kosova Sot Online)