Ndeshja Angli – Kosovë transmetohet live në “Zahir Pajaziti”

  • 10 September 2019 - 14:07
Ndeshja Angli – Kosovë transmetohet live në “Zahir Pajaziti”

Tifozët kosovarë do të mund ta ndjekin përballjen e madhe mes Anglisë dhe Kosovës në sheshin “Zahir Pajaziti” në Prishtinë, sonte në orën 20:45.

Ekipi kombëtar i Kosovës do ta vazhdojë rrugëtimin drejt kualifikimit në Kampionatin Evropian 2020 me ndeshjen kundër Anglisë, e cila nis në orën 20:45 në stadiumin e Southamptonit, “St. Mary’s”.

Tifozët që nuk udhëtuan në Southampton për këtë ndeshje do ta kenë mundësinë ta përcjellin atë në sheshin “Zahir Pajaziti”. Ky organizim është bërë nga Ipko, që është sponsor gjeneral i Kombëtares së Kosovës.

Kjo ndeshje do të jetë e vlefshme për Grupin A të kualifikimeve në EURO – ku garojnë edhe Republika Çeke, Mali i Zi dhe Bullgaria. Favorite për ta fituar këtë grup është Anglia, mirëpo Kosova do të mund ta sigurojë një vend në Evropian edhe duke u radhitur e dyta në grup.

Për këtë ndeshje – njëjtë si për atë kundër Çekisë – trajnerit Challandes i mungojnë në skuadër pesë futbollistë të cilët zakonisht luajnë në formacionin e parë – Milot Rashica, Arbër Zeneli, Herolind Shala, Hekuran Kryeziu dhe Benjamin Kololli.

Momentalisht, Anglia e kryeson grupin A me nëntë pikë të fituara nga tri ndeshje të zhvilluara. Fitorja sonte do t’ia vazhdonte rekordin e 100 për qindtë në rrugën drejt EURO 2020, ndërsa disfata do të bënte që Kosova ta marrë kreun e grupit.

Në anën tjetër, Kosova radhitet e dyta në grup, me tetë pikë të grumbulluara nga katër ndeshje të zhvilluara. Fitorja do t’i vazhdonte Kosovës ecurinë e jashtëzakonshme prej 15 ndeshjeve pa disfatë, ndërsa humbja do t’ia jepte Republikës Çeke mundësinë ta marrë sërish vendin e dytë, pasi që çekët sot do të përballen me Malin e Zi.

Kjo është hera e parë që Kosova po përballet me Anglinë, ndërsa gjatë këtij viti do ta zhvillojë edhe një tjetër ndeshje me “Tre Luanët” – me 17 nëntor në stadiumin “Fadil Vokrri”. 

(Kosova Sot Online)