Rabiot fiton padinë ligjore kundër PSG-së

  • 10 September 2019 - 15:47
Rabiot fiton padinë ligjore kundër PSG-së

Mesfushori i Juventusit, Adrien Rabiot, ka fituar në një padi ligjore kundër Paris Saint-Germainit, që kishte të bëjë me një bonus prej 40 mijë eurosh, që klubi s’ia kishte paguar futbollistit.

Adrien Rabioti u la jashtë skuadrës së Paris Saint-Germainit për pjesën e dytë të sezonit të kaluar për shkak të një mosmarrëveshjeje në lidhje me kontratën dhe më vonë atij nuk iu dha “bonusi i moralit”.

Ky vendim i kampionit francez erdhi pasi futbollisti e pëlqeu një video të Patrice Evrës në Instagram, ku ai e tallte klubin e Ligue 1, pas eliminimit tronditës nga Liga e Kampionëve nga Manchester Unitedi, në mars.

Megjithatë, L’Equipe raporton se Bordi i Përbashkët i Apelimeve i Ligave Franceze ishte në anën e 24-vjeçarit për këtë çështje.

Përveç nëse kampioni në fuqi i Ligue 1 vendos ta apelojë edhe këtë vendin në ndonjë tribunal më të lartë, ata do të detyrohen t’ia paguajnë Rabiotit 40 mijë eurot që ia kanë borxh.

Mesfushori francez nënshkroi kontratë katërvjeçare me Juventusin më 1 korrik.

(Kosova Sot Online)